Rusia ka reaguar pas bisedimeve të sotme midis SHBA-ve dhe Ukrainës në Arabinë Saudite.
Ministria e Jashtme e Rusisë thotë se nuk përjashton mundësinë e kontakteve me përfaqësues të SHBA-ve në ditët në vijim.
Kjo vjen pas komenteve të presidentit amerikan, Donald Trump, i cili tha se do të bisedojë këtë javë me homologun rus, Vladimir Putin.
residenti i SHBA-së u tha gazetarëve jashtë Shtëpisë së Bardhë se shpreson të arrihet një armëpushim total në ditët në vijim.
Ndryshe, Shtetet e Bashkuara të Amerikës “do të heqin menjëherë pezullimin e ndarjes së informacioneve të inteligjencës dhe do të rifillojnë ndihmën e sigurisë për Ukrainën”, shkruan skynews.
Kështu kanë konfirmuar zyrtarët amerikanë dhe ukrainas në një deklaratë të përbashkët lidhur me takimin e tyre në Jedda, Arabinë Saudite.
Kievi gjithashtu “shprehu gatishmërinë për të pranuar propozimin e SHBA-së për të zbatuar një armëpushim të menjëhershëm dhe të përkohshëm 30-ditor, i cili mund të zgjatet me marrëveshje të ndërsjellë të palëve dhe që varet nga pranimi dhe zbatimi i njëkohshëm nga Federata Ruse”, thuhet në deklaratë.
“Shtetet e Bashkuara do t’i komunikojnë Rusisë se reciprociteti rus është çelësi për arritjen e paqes”, vijon deklarata.