Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, ka përkujtuar sot ”Epopenë e UÇK-së” dhe 27 vjetorin e rënies së komandantit legjendar, Adem Jashari.
Krasniqi në një postim në Facebook, ka thënë se sot, pas 27 vitesh, “emrat e tyre janë më të mëdhenj se koha, më të fuqishëm se çdo dhembje, më të shndritshëm se çdo yll”.
Ai thotë se 27 vite më parë, më 5, 6 dhe 7 mars, në Prekazin e shenjtë, qëndresa u bë betim, flijimi u bë udhërrëfim, e familja Jashari u ngrit në përjetësi!
“Nga nëna Zahide dhe baca Shaban, nga Hamza te Ademi, nga Kushtrimi te daja Osë – burra e gra, fëmijë e pleq, një familje e tërë nuk u përkul, por qëndroi e pathyeshme, duke i kënduar lirisë edhe në çastet e fundit. Ata e dinin dhe besonin: Liria nuk dhurohet dhe as nuk blihet – ajo fitohet me gjak dhe me sakrificë! Sot, pas 27 vitesh, emrat e tyre janë më të mëdhenj se koha, më të fuqishëm se çdo dhembje, më të shndritshëm se çdo yll! Ata janë aty – të përjetshëm – në historinë tonë, në frymën e kësaj toke të lirë, në gjakun që rrjedh në damarët e çdo shqiptari!”, thotë Krasniqi.
Tutje ai shton se Prekazi nuk është thjesht një vend, është altari i lirisë, themeli i shtetit, zemra e kombit! Sepse, siç ka thënë vetë komandanti legjendar: Shumë erëra kanë kaluar, por lisit rrënjët s’kanë mundur t’ia shkulin.
“Kosova është ai lis i pamposhtur që vazhdon të rritet, të zgjerojë degët dhe të ngjitet në lartësi të reja – çdo ditë, çdo vit, deri në përjetësi! Lavdi e përjetshme komandantit legjendar Adem Jashari! Lavdi familjes heroike Jashari! Lavdi të gjithë dëshmorëve të kombit!”, shkrun Krasniqi në Facebook.