Kërkohet paraburgimi i 24 personave të dyshua në rastin Koçani, Prokuroria doli me detaje nga viti 2012
Prokuroria themelore publike në Koçan ka lëshuar urdhër për zhvillimin e procedurës hetimore ndaj 27 personave fizik dhe tre personave juridikë për të cilët ekziston dyshimi i bazuar se si bashkëkryerës kanë kryer – Krime të rënda kundër sigurisë së përgjithshme nga neni 292 në lidhje me nenin 288 të Kodit Penal.
Të gjithë të dyshuarit në periudhën nga viti 2012 deri më 16.03.2025, bashkërisht, por secili në aspekt të kompetencave dhe përgjegjësive të tyre, nuk kanë vepruar fare sipas rregulloreve për masat mbrojtëse dhe në këtë mënyrë kanë shkaktuar rrezik për jetën dhe trupin e njerëzve dhe pronën në përmasa të mëdha.
Lëshimet zingjirore dhe veprimet e kundërligjshme të përgjegjësve dhe zyrtarëve kanë bërë që gjatë përdorimit të mjeteve piroteknike më datë 16.03.2025 gjatë performancës së grupit muzikor DNK në kabarenë CLUB PULSE në Koçan, është shkaktuar zjarri në të cilin kanë humbur jetën 59 persona, prej tyre 6 fëmijë, ndërsa 195 të tjerë kanë mbetur të plagosur, mes të cilëve 25 fëmijë.
Nëse sigurihen prova, hetimi do të përfshijë edhe persona të tjerë të paidentifikuar, të cilët edhe pse kanë qenë të vetëdijshëm se për shkak të veprimeve dhe mosveprimeve të tyre mund të ndodhë një pasojë e dëmshme, janë pajtuar me shfaqjen e saj dhe kanë kontribuar në përfundimin katastrofik.
Tre të dyshuar paraqiten si persona përgjegjës, bashkëpronarë apo udhëheqës për një periudhë të caktuar në personin juridik, pjesë e të cilit është klubi. I pari prej tyre është qiramarrësi i objektit ku ndodhet klubi, pronari dhe zotëruesi i vërtetë i të gjithë sipërmarrjes dhe funksionimit të biznesit. Objekti i destinuar për industrinë e lehtë, i cili ndodhej në një zonë industriale, nuk i plotësonte fare kushtet për t’u shndërruar në objekt hotelierie – kabare sipas Ligjit për Veprimtari hoteliere, por në vazhdimësi gjatë gjithë periudhës të dyshuarit kanë marrë licencë në mënyrë të kundërligjshme dhe kanë organizuar shërbime katering. Në të njëjtën kohë, të gjithë e dinin dhe ishin të vetëdijshëm se klubi nuk i plotëson kushtet dhe mënyrën e përcaktuar me ligj të kryerjes së aktiviteteve hotelierike.
Në këtë kontekst, ekziston dyshimi konkret se i dyshuari i parë, për periudhën 13.02.2024 deri më 13.02.2025, personit zyrtar të dyshuar të punësuar në Ministrinë e Ekonomisë, drejtpërdrejt i ka dhënë një shumë të hollash për kryerjen e një veprimi zyrtar që nuk i është lejuar ta kryejë dhe kështu, pa kryer procedurën e përcaktuar me ligj, ka siguruar një dokument zyrtar të falsifikuar – licencë për veprimtari hoteliere. Prandaj, ndaj punonjësit të Ministrisë së Ekonomisë është iniciuar procedurë për – Marrje ryshfeti nga neni 357 i Kodit Penal.
Njëri nga të dyshuarit është edhe pronarja dhe udhëheqësja e një personi të dyshuar juridik nga Koçani, i cili gjatë vitit 2010 ka vepruar sipas kërkesës së pronarit të dyshuar dhe i ka përgatitur një projekt themelor si kusht për fillimin e punës dhe kryerjen e aktivitetit hotelierik – kabare, edhe pse e dinte se nuk kishte kushte ligjore që objekti të shndërrohej nga kategoria e industrisë së lehtë në një kabare. Pronari në mënyrë të kundërligjshme e ka shfrytëzuar këtë projekt të paligjshëm në periudhën 2012-2023 krahas kërkesës për marrjen e licencave për kryerjen e veprimtarive hotelierike. Në vitin 2023, ai iu drejtua të dyshuarës për të korrigjuar projektin bazë, dhe ajo pa kryer kontrolle në vend, në mënyrë të kundërligjshme i kishte ndërruar personat juridikë në projektin bazë dhe në këtë mënyrë i mundësoi kabaresë të dorëzojë kërkesat për licencë.
Nga Ministria e Ekonomisë deri në këtë moment dyshohet për një ish-ministër, por edhe një ish-sekretar shtetëror, shef dikasteri, shef sektori dhe bashkëpunëtor i ri, të cilët aktualisht punojnë në Ministri, por në poste të tjera drejtuese. Të gjithë, duke mos kryer detyrat e tyre zyrtare që ishin të obliguar me ligj, nuk kanë vepruar sipas rregulloreve dhe rregullave teknike për masat mbrojtëse dhe ndaj personit të dyshuar juridik i cili nuk i ka plotësuar kushtet dhe mënyrën e përcaktuar të ushtrimit të veprimtarisë hotelierike, në disa raste me licenca i kanë mundësuar kryerjen e veprimtarisë hotelierike – kabare.
Ish-drejtori i Inspektoratit Shtetëror të Tregut dhe tre inspektorë zyrtarë, edhe pse kanë qenë të detyruar të kryejnë inspektime, nuk kanë kryer detyrat e tyre zyrtare dhe në periudhën nga data 09.01.2020 deri më 16.03.2025 nuk kanë kontrolluar në asnjë rast funksionimin e personit juridik për të përcaktuar nëse ai ka licencë të vlefshme, nëse plotëson kushtet teknike-minimale të specifikuara për licencë në këkesën për Licencë për kryerjen e aktivitetit hotelerik- kabare, dhe kushte të tjera të parapara në pajtim me ligjin, të cilat i kanë mundësuar PULS Cabaret që në mënyrë të kundërligjshme të vazhdojë kryerjen e aktiviteteve të hotelierisë.
Tre kryetarët e dyshuar të Komunës së Koçanit në periudhën nga viti 2012 deri më 16.03.2025, si dhe dy ish-drejtorët e dyshuar të Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim, nuk i kanë përmbushur obligimet e tyre ligjore sipas Ligjit për Mbrojtje dhe Shpëtim, duke i mundësuar kështu Kabaresë së PULS-së që në kundërshtim me ligjin, të vazhdojë kryerjen e veprimeve të tjera në përputhje me ligjin. Për gjithë atë periudhë, komuna ka marrë pagesa në bazë të kompensimit për një objekt hoteliere.
Në lidhje me veprimtarinë e Inspektoratit Shtetëror të Tregut dhe Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim, Ministria e Punëve të Brendshme vazhdon të kryejë inspektime me qëllim të konstatimit të të gjitha lëshimeve gjatë gjithë periudhës kohore të funksionimit të klubit.
Më datë 16.03.2025, njëri nga të dyshuarit, person përgjegjës në klub, ka organizuar koncert – performancë pa kontratë të nënshkruar zyrtarisht me grupin muzikor DNK, dhe së bashku me drejtuesit e dyshuar dhe anëtarët e dyshuar të agjencisë së sigurimit, të vetëdijshëm se kapaciteti dhe kushtet në objekt nuk e lejojnë këtë, kanë lejuar hyrjen e rreth 650 personave, mes të cilëve 31 fëmijë. Njëri nga personat e dyshuar shiste bileta pa marrë parasysh numrin dhe moshën e të ftuarve të cilët lejohen të marrin pjesë, në kundërshtim me Ligjin për aktivitetet e hotelierisë, duke lejuar hyrjen dhe praninë e të miturve në manifestim.
Personat e dyshuar përgjegjës në diskotekë dhe anëtarët e sigurimit nuk kanë penguar, për qëllime të performancës së grupit të DNK-së, të hyjnë në objektin e hotelierisë dhe të përdorin lëndë shpërthyese, ndonëse për atë veprim nuk kanë pasur leje të detyrueshme të lëshuar nga organet kompetente për përdorimin e mjeteve piroteknike dhe as kushtet hapësinore nuk kanë lejuar përdorimin e mjeteve të tilla .
Një anëtar i grupit muzikor dyshohet gjithashtu për import dhe përdorim të lëndëve piroteknike. Dyshohet se rreth orës 02:32 në kuadër të performancës dhe efektit në skenë, anëtarët e grupit kanë aktivizuar lëndën shpërthyese – shatërvanë piroteknikë që kanë hedhur shkëndija në drejtim të tavanit mbi skenë, të cilat menjëherë kanë ndezur pjesën e çatisë së objektit dhe zjarri është përhapur në të gjithë objektin.
Lidhur me dështimet e sigurisë, të dyshuar janë pronari dhe udhëheqësi i kompanisë së sigurimit nga Shkupi, personi i autorizuar i filialit në Koçan, tre punëtorë dhe një person i cili nuk ka qenë i punësuar në kompani por ka kryer punë të caktuara për atë kompani. Të gjithë ata kryenin punë të sigurisë fizike, pa asnjë vlerësim paraprak të sigurisë dhe plan sigurie, pa kontrolluar kushtet për mbrojtje nga zjarri dhe rrezikun nga zjarri, si dhe kushtet e tjera të sigurisë, veçanërisht në aspektin e rreziqeve dhe mundësive të evakuimit. Gjatë mbrëmjes kritike, ata nuk kanë kontrolluar dhe lejuar hyrjen e fëmijëve në objekt, nuk janë kujdesur për mbipopullimin e kapacitetit të vizitorëve në objekt dhe nuk kanë penguar futjen dhe përdorimin e lëndëve shpërthyese – mjeteve piroteknike që kanë shkaktuar zjarrin dhe kanë shkaktuar aksidentin në objekt.
Të gjithë të dyshuarit janë siguruar. Prokuroria e Koçanit, duke marrë parasysh peshën e veprës penale për të cilën akuzohen dhe të gjitha rrethanat e tjera, kërkon masën e paraburgimit për të gjithë të dyshuarit me përjashtim të 3 personave që janë të shtruar në spital.