Reperi i njohur amerikan, Jay-Z, ka ngritur padi për shpifje kundër një gruaje e cila, në muajin shkurt, tërhoqi akuzat e saj ndaj reperit, të cilin e akuzonte për përdhunim.
Në padinë e tij, ai pretendon se ajo “pranoi vullnetarisht” se ishte detyruar të bënte akuza të rreme, duke e cilësuar këtë si “komplot djallëzor” për zhvatje parash dhe dëmtim të reputacionit të tij, ka raportuar BBC.
Gruaja, e cila ka mbetur anonime, kishte dorëzuar fillimisht padinë e saj në muajin tetor dhe e kishte riparaqitur në muajin dhjetor, duke akuzuar Jay-Z-në, emri i vërtetë i të cilit është Shawn Carter, dhe Sean “Diddy” Combsin për përdhunimin e saj në moshën 13-vjeçare, pas ceremonisë së ndarjes së çmimeve MTV Video Music Awards në vitin 2000.
Të dy reperët i kanë mohuar kategorikisht akuzat.
Padi për shpifje edhe ndaj avokatëve
Padia për shpifje e Jay-Z-së, e dorëzuar në gjykatën federale në Alabama, akuzon gjithashtu avokatin e gruas, Tony Buzbee, dhe bashkëpunëtorin e tij, David Fortney, se e kanë orkestruar padinë e saj.
Buzbee është bërë i njohur në arenën ndërkombëtare për dhjetëra padi që ka ngritur në emër të njerëzve që akuzojnë Diddyn për abuzim seksual, zhvatje dhe sulm.
Diddy i ka mohuar të gjitha akuzat kundër tij dhe aktualisht po përballet me akuza federale për trafikim seksual dhe zhvatje, për të cilat ka deklaruar pafajësi.
“Buzbee e përfshiu Jay-Z-në në këtë histori”
Sipas padisë për shpifje të Jay-Z-së, gruaja i ka thënë ekipit të tij ligjor se avokatët e saj e detyruan të bënte pretendime të rreme.
“Buzbee e përfshiu Jay-Z-në në këtë histori”, citohet të ketë thënë ajo në dokumentet gjyqësore.
Padia pretendon se edhe pse gruaja ka pranuar se “Jay-Z nuk më ka sulmuar seksualisht”, avokati Buzbee e ka detyruar ta vazhdojë çështjen për ta forcuar padinë dhe për të përfituar më shumë para.
Jay-Z gjithashtu ka theksuar mospërputhje në intervistën e gruas për NBC News vitin e kaluar, ku ajo kishte përmendur një të ftuar të famshëm në festën e MTV-së, i cili në fakt ndodhej në një qytet mijëra kilometra larg atë natë.
Ndërkohë, i ati i saj e ka kundërshtuar pretendimin se e kishte marrë nga festa pas ngjarjes së supozuar.
Padia pretendon gjithashtu se zyra ligjore e Buzbeet nuk e ka verifikuar siç duhet as dëshminë dhe as të kaluarën e gruas, duke përmendur një histori të saj me probleme të shëndetit mendor dhe një rast të mëparshëm të dhunës fizike.
Dëmi emocional dhe financiar
Nga ana tjetër, avokati Tony Buzbee ka mohuar çdo shkelje dhe pretendon se ekipi i Jay-Z-së ka përdorur taktika frikësimi për ta detyruar gruan të tërhiqej.
Në një deklaratë për BBC News, ai ka thënë se padia e Jay-Z-së “nuk ka asnjë bazë ligjore”.
“Hetuesit e Shawn Carterit e kanë kërcënuar dhe ngacmuar këtë grua për javë të tëra, duke u përpjekur ta frikësojnë dhe ta detyrojnë të tërheqë historinë e saj. Ajo nuk do ta bëjë këtë – përkundrazi, ka deklaruar vazhdimisht se qëndron pas akuzave të saj”, ka thënë ai.
Jay-Z, i cili është i martuar me këngëtaren e njohur Beyoncé, ka thënë se akuzat e rreme kanë pasur ndikim të rëndë si në jetën e tij personale ashtu edhe në atë profesionale.
Ai pretendon se ka humbur kontrata biznesi me vlerë rreth 20 milionë dollarë në vit për kompaninë e tij, “Roc Nation”, dhe se çështja ka pasur ndikim të madh emocional, veçanërisht tek fëmijët e tij.