Izraeli bombardon Gazën, Libanin dhe Sirinë, duke kërcënuar ndezjen e luftës

Izraeli ka kryer sulme të mëdha ajrore në Rripin e Gazën, Liban dhe në jug të Sirisë kundër, siç tha, ekstremistëve që po planifikojnë sulme terroriste. Bombardime izraelite kërcënojnë shpërthimin e një konflikti të ri dhe të përgjakshëm rajonal.

Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu, tha të hënë mbrëma se e udhëzoi ushtrinë të ndërmarrë “veprime të fuqishme” kundër Hamasit – grupit palestinez të shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian – për shkak se ky grup i mbështetur nga Irani nuk pranoi t’i lirojë pengjet e mbetura dhe i hodhi poshtë propozimet për një armëpushim të ri.

“Izraeli, nga ky çast, do të veprojë me forcë ushtarake kundër Hamasit”, tha zyra e Netanyahut në një komunikatë.

Njëkohësisht, ushtria izraelite tha se ka kryer sulme ajrore edhe në Libanin jugor dhe Sirinë jugore.

Të dhënat fillestare nga autoritetet palestineze në Gazë tregojnë se të paktën 80 njerëz janë vrarë dhe dhjetëra të tjerë janë plagosur nga sulmet izraelite, por numri i viktimave ka gjasa të rritet. Këto të dhënat nuk mund të konfirmoheshin në mënyrë të pavarur.

Ushtria izraelite tha se sulmet në Gazë kishin në shënjestër liderë dhe komandantë të nivelit të mesëm të Hamasit, si dhe infrastrukturën e grupit.

Ajo deklaroi se është e gatshme t’i vazhdojë sulmet kundër Hamasit për aq gjatë sa të jetë e nevojshme.

Shtëpia e Bardhë u konsultua nga Izraeli për sulmet e fundit në Gazë, tha zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë për Fox News.

“Ashtu siç e ka bërë të qartë presidenti [Donald] Trump – Hamasi, Huthit [në Jemen], Irani, të gjithë ata që synojnë ta terrorizojnë jo vetëm Izraelin, por edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, do të përballen me pasoja. Do të shpërthejë ferri”, tha zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Karoline Leavitt.