Një aparat kundër zjarrit, si shenjë simbolike, sot I wshtw dhuruar Gjykatës dhe Prokurorisë së Tetovës nga iniciativa “Zero”, të cilën e përbëjnë nxënës të shkollave të mesme dhe studentë. Qëllimi i kësaj nisme është që gjykatësit të marrin më shumë përgjegjësi dhe të zbardhen rastet e fatkeqësive që kanë ndodhur, prcjell TS.
“Ju e keni për detyrë të zbuloni të vërtetën dhe të siguroni që fajtorët të vihen para drejtësisë. 59 të rinj u vranë në Koçan, 14 pacientë humbën jetën në zjarrin e spitalit modular në Tetovë, 45 qytetarë u dogjën të gjallë në aksidentin e ‘Besa Trans’ në Bullgari, ndërsa 16 të tjerë humbën jetën në tragjedinë e ‘Durmo Turs’ në Llaskarc. Këto nuk mund dhe nuk duhet të mbeten pa ndëshkim. Pandëshkueshmëria krijon papërgjegjësi institucionale dhe sjell tragjedi të reja. Drejtësia nuk duhet të pengohet as nga gjykatës, as nga prokurorë që mbrojnë të padrejtën.” u shpreh Blendi Hodai – Iniciativa Zero:
Nga iniciativa “Zero” paralajmërojnë se të hënën do të organizohet protestë në Tetovë, ku para Gjykatës do të kujtohen viktimat e Koçanit dhe do të kërkohet rigjykim për të gjitha tragjeditë.
“Të hënën, në ora 12:30, protesta do të mbahet në Tetovë me pikënisje nga sheshi ‘Iliria’, për të përfunduar para Gjykatës së Tetovës. Fillimisht, do të kujtojmë viktimat e Koçanit dhe më pas do të kërkojmë përgjegjësi për këtë rast, si dhe për tragjedinë e spitalit modular që ndodhi para disa vitesh në Tetovë. Ne, si të rinj, kërkojmë që të rigjykohen të gjitha tragjeditë që kanë ndodhur,” deklarojnë organizatorët.
Ndërkohë, në Gjykatën e Tetovës është ende në proces gjykimi për rastin e spitalit modular, i cili edhe pse ka filluar dy vite më parë, ende nuk ka përfunduar. Pasi u kthye në rigjykim, katër seanca u anuluan dhe në fund, gjykatësi i çështjes, Jordan Velkovski, kërkoi të tërhiqej për shkaqe shëndetësore, ndërkohë që vazhdon të japë vendime në procese të tjera./Nevrij Ademi /TS/