I dërguari i Trumpit për luftën në Ukrainë mbërrin në Rusi – a do të arrihet një marrëveshje për paqe?
Steve Witkoff ka mbërritur në Moskë.
I dërguari i posaçëm i Donald Trump për luftën në Ukrainë pritet të takohet me zyrtarët rusë për bisedime mbi mënyrën e përfundimit të luftimeve.
Kremlini tha më herët se SHBA ka dhënë informacione të caktuara në lidhje me një armëpushim të propozuar – i cili do të zgjasë 30 ditë – dhe do të vazhdojë ta bëjë këtë në bisedimet ballë për ballë.
Ndryshe, Moska ende nuk ka dhënë një përgjigje se a pajtohet me armëpushimin i cili do të ndalonte luftën për 30 ditë, shkruan skynews, përcjell Telegrafi.
Por, ka zbuluar disa kërkesa.
Kërkesat përfshijnë: asnjë anëtarësim në NATO për Kievin; një marrëveshje për të mos vendosur trupa të huaja në Ukrainë; dhe njohja ndërkombëtare e pretendimit të Vladimir Putin ndaj Krimesë dhe katër provincave të Ukrainës.
Disa zyrtarë amerikanë kanë frikë se Putini, një ish-oficer i KGB-së, do të përdorte një armëpushim për të intensifikuar përpjekjet për të ndarë SHBA-në, Ukrainën dhe Evropën dhe për të minuar çdo bisedim.