Presidenti i Hungarisë, Tamas Sulyok, ka nënshkruar ligjin të propozuar nga partia e kryeministrit Viktor Orban, i cili ndalon komunitetin LGBT të mbajë paradën tradicionale të krenarisë. Pas miratimit të ligjit në parlament, protestuesit bllokuan një urë në qendër të Budapestit mbrëmjen e kaluar.
Ligji i ri ndalon paradën me arsyetimin se mund të konsiderohet e dëmshme për fëmijët. Policia do të mund të përdorë kamera për njohjen e fytyrës për të identifikuar njerëzit që marrin pjesë në ngjarje dhe t’u shqiptojë dënime.
Orban ka qenë kritik ndaj komunitetit LGBT për një kohë të gjatë, çka shpesh ka sjellë përplasje me Brukselin. Pas miratimit të ligjit të ri hungarez, komisionerja e BE për barazinë, Helena Dalli, tha se e drejta për të protestuar paqësisht është një e drejtë themelore që duhet të mbrohet në të gjithë BE-në.
Edhe kryetari liberal i Budapestit, Gergely Karacsony, kritikoi ligjin dhe tha se parada e krenarisë e këtij viti mund të jetë më e madhe deri tani. Pavarësisht ndalimit, organizatorët thanë se ata planifikojnë ta mbajnë marshimin më 28 qershor.
“Budapesti është qyteti i lirisë dhe parada do të mbahet,” tha Karácsony.