Haradinaj: Kriminelët po trimërohen nga amnistimi i sjelljeve kriminale të shefit të shtetit

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj ka deklaruar se dora e shtetit duhet të ndihet në sigurimin e rendit dhe qetësisë, derisa foli vrasjet që ndodhën në Kosovë ditëve të fundit.

Haradinaj përmes një postimi në “Facebook” ka shkruar se niveli i vrasjeve së fundmi është shqetësues, duke theksuar se kjo sjellje “është reflektim i institucioneve kryesore të shtetit, të cilët nuk respektojnë rend, ligj e prokurori”.

Haradinaj ka folur për “kriminelët që po trimërohen nga amnistimi i sjelljeve kriminale të shefit të shtetit”.

“Është shqetësues niveli i vrasjeve kohët e fundit në Kosovë-katër në vetëm dy ditë. As edhe një nuk do duhej të ndodhte në Kosovën e lirë. Kemi humbur shumë jetë në luftë për të mos humbur as edhe një në paqe. Dora e shtetit duhet të ndihet, para së gjithash, në sigurimin e rendit dhe qetësisë. Kjo amulli në rritje, e përkthyer në dhunë dhe vrasje, nuk është Kosova që duam.

Kjo sjellje në masë është reflektim i institucioneve kryesore të shtetit, të cilët të parët nuk respektojnë rend, ligj e prokurori, duke i “trimëruar” kriminelët të të gjitha natyrave përmes amnistimit të sjelljes kriminale të shefit të shtetit. Ky është efekti zinxhiror i sjelljes banditeske nga i pari; Kosovën po e kthen në një shtet ku jeta dhe mirëqenia e qytetarëve janë jashtë kontrollit.

Siguria e qytetarëve të Kosovës duhet të jetë prioriteti numër një, dhe shembulli duhet të vijë nga ata që kanë institucionet në duar.

Ngushëllime familjarëve të viktimave, ngushëllime qytetarëve tanë”, ka shkruar Haradinaj.