“Hajdeni në zyrën time, oraret i caktoj unë!”: Drejtësia me kushte e kryeministrit Kurti

Kryeministri Kurti ka përsëritur thirrjen e tij në drejtim të prokurorëve, të cilët i ka ftuar nën zyrë nëse duan t’ia marrin dëshminë, pa harruar të nënvizojë se për bindjen tij më shumë sesa krimin dhe korrupsionin, prokuroria po e lufton qeverinë

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, u ka kërkuar hetuesve të Prokurorisë Speciale që, nëse duan të marrin dëshminë e tij për çështjen e rezervave shtetërore, të vizitojnë zyrën e tij. Ai ka deklaruar të martën se ka qenë gjithmonë i gatshëm të dëshmojë, por nën kushtin që prokurorët të shkojnë në kryeministri, në orarin që ai do t’ua caktojë.

Kryeministri Kurti ka akuzuar Prokurorinë Speciale se është duke e keqpërdorur lirinë, duke vlerësuar se fokusi i saj është më shumë në “luftën ndaj qeverisë” sesa në ndjekjen e krimit dhe korrupsionit. Prokuroria e Shtetit, për bindjen e tij, synon “t’i mbushë ballinat e ndonjë portali të ndonjë oligarku sesa të sjellë drejtësi” në Kosovë.

“Asnjëherë s’kam thënë se s’do të jap dëshmi dhe e refuzoj… Kam thënë se jam i gatshëm dhe i interesuar. Kam shkruar letër ku kam treguar edhe oraret… Mirëpres Prokurorinë e Shtetit në zyrën e kryeministrit”, ka deklaruar kryeministri Kurti.

Ai i ka bërë këto komente në Gjilan, ku ka marrë pjesë në vendosjen e gurthemelit të një çerdheje. Në kohën që ishte atje, përkatësisht në orën 10:00 të paradites, ai ishte i ftuar të paraqitej në Prokurorinë Speciale, me urdhër të Gjykatës së Prishtinës.

Ndryshe, ligji parasheh fillimisht një gjobë deri në 250 euro, ndërsa nëse refuzimi vazhdon, ai mund të përballet me masën më të ashpër – paraburgimin deri në një muaj. Kjo masë aplikohet për çdo kosovar që nuk i bindet urdhrit të gjykatës, dhe kjo do të ishte hera e parë që një kryeministër merr një dënim të tillë në Kosovë.