Shkurtimet e rënda të financimeve amerikane ndaj shumë agjencive të OKB-së dhe organizata humanitare dhe të zhvillimit do të jenë “shkatërruese” për njerëzit më të cenueshëm në botë, paralajmëroi kreu i OKB-së, Antonio Guterres, i cili i kërkoi administratës së Presidentit Trump rishqyrtimin e kësaj mase.
“Zbatimi i këtyre shkurtimeve do ta bëjë botën më pak të shëndetshme, më pak të sigurt dhe më pak të begatë. Reduktimi i rolit dhe ndikimit humanitar të Amerikës do të jetë në kundërshtim me interesat amerikane në rang global”, Guterres.
Guterres insistoi që jo vetëm SHBA-, por edhe vende të tjera që kanë njoftuar së fundi reduktime në ndihmën humanitare dhe të zhvillimit, të ndryshojnë vendimet e tyre pas rishikimeve më të kujdesshme të programeve.
“Çdo agjenci e Kombeve të Bashkuara është e gatshme të sigurojë informacionin dhe justifikimin e nevojshëm për projektet e saj. Ne duam të bashkëpunojmë plotësisht me Shtetet e Bashkuara në këtë drejtim”, u shpreh ai.
Numri një i Kombeve të Bashkuara nuk dha një shifër në dollarë se sa do të humbasin OKB-ja dhe agjencitë e saj dhe nuk pranoi t’i drejtohen pyetje nga gazetarët.
Por SHBA-ja është vendi më i madh donator për sa i përket financimit humanitar për këtë organizatë dhe vitin e kaluar, kontributi i saj llogaritet në 14 miliardë dollarë, apo pak më shumë se 40% të kontributeve totale.
Gjermania, sakaq, që është donatorja e dytë më e madhe, ofroi 2.7 miliardë dollarë ose rreth 8% të financimit global.
Administrata e Presidentit Trump, nëpërmjet Departamentit të saj të Efikasitetit të Qeverisë (DOGE), ka shkurtuar 60 miliardë dollarë nga ndihmat për vendet e tjera, në kuadrin e përpjekjeve për të ulur masivisht kostot e qeverisë.
Kjo përfshinte mbylljen e Agjencisë së Shteteve të Bashkuara për Zhvillimin Ndërkombëtar (USAID) dhe ndryshimin e dekadave të politikës së jashtme amerikane, që e shihte fuqinë e butë të ndihmës humanitare si në interesin kombëtar të Amerikës, çka bëri që shumë agjenci ndërkombëtare të ndihmave të hasin në vështirësi për të vazhduar programet e tyre.