Gracka nga komedianët rusë nxit reagime të shumta në Kosovë, Kurti bëhet lajm edhe në mediat ndërkombëtare

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka rënë pre e dy komedianëve rusë të njohur si Vovan dhe Lexus, duke menduar se po komunikonte në telefon me presidentin e Letonisë.

Gracka në të cilën ra Kurti nxiti reagime të shumta në Kosovë, ndërkohë që Qeveria e cilësoi si “incident fatkeq”.

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, reagoi me një video, teksa duke e dëgjuar tund dhe kap kokën.

Ndërkaq, sekretarja e Përgjithshme e PDK-së, Vlora Çitaku, ka thënë se rënia në grackë nuk është “pjesa më e turpshme”, por se “e turpshme dhe skandaloze” është përmbajtja e asaj bisede, duke theksuar pjesën ku Kurti flet për opozitën, mediat, bizneset e administratën e re amerikane, shkruan Reporteri.net.

“E gjithë biseda nxjerr në pah një nivel shqetësues sipërfaqësor dhe të paditur në trajtimin e çështjeve të politikës së jashtme. Dhe nëse kjo është mënyra se si Kurti flet në takime me liderë ndërkombëtarë, atëherë… mozomakeq për ne. Mjerim”, ka thënë Çitaku.

“Jo inekzistente, por e neveritshme”. Kështu u shpreh rreth diplomacisë së vendit, Doarsa Kica-Xhelli, deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, referuar mashtrimit ku ra pre kryeministri i vendit, Albin Kurti, nga dy rusët që iu paraqitën si presidenti letonez.

“Mendoja që diplomacia e Kurtit është inekzistente. Paskam qenë gabim! Qenka e neveritshme!”, shkroi ajo.

Përveç reagimeve të shumta në Kosovë, lajmi mori dhenë. Për pranku-un kanë shkruar edhe media të njohura ndërkombëtare.

Mediumi “AssociatedPress”, duke cituar zyrën e kryeministrit, transmeton justifikimin e kabinetit të Kurtit që “Kurti ka pasur shumë telefonata në rastin e fitores së zgjedhjeve të 9 shkurtit, sa kanë pasur të pamundur të verifikojnë në detaje çdo telefonatë”.

AP, tregon edhe për përmbajtjen e bisedës, duke thënë se është folur edhe për Serbinë e Rusinë.

Këtë lajm e ka marrë edhe gjiganti mediatik “WashingtonPost”, duke raportuar për grackën në të cilën ra Kurti.

Po ashtu, përmendet edhe fakti që akoma nuk janë certifikuar rezultatet zgjedhore, e që pastaj presidentja e Kosovës do t’i kërkojë Kurtit të fillojë përpjekjen për formimin e Qeverisë.

Çka foli Kurti me dy komedianët?

Nga ZKM konfirmuan se ngjarja ka ndodhur më 11 shkurt, dy ditë pas zgjedhjeve në Kosovës, shkruan Reporteri.net.

Zyra e Kurtit e ka quajtur këtë incident fatkeq.

ZKM është munduar që ta lidhë këtë rast me ndikimin e dezinformatave ruse në zgjedhjet e Kosovës.

Biseda, nis në atë mënyrë që fillimisht presidenti letonez e uron Kurtin për fitoren e zgjedhjeve të 9 shkurtit, ndërsa Kryeministri menjëherë i përmend luftën hibride që sipas tij është bërë kundër qeverisë së tij, kryesisht nga Serbia dhe Rusia, por edhe nga “disa elemente brenda Kosovës”.

Pjesë e bisedës së Kurtit me “Presidentin letonez” ishte edhe Richard Grenell.

Kurti, në rrengun e komedianëve rusë thotë se emisari special i Presidentit Trump kishte qenë një instrument për rrëzimin e qeverisë së tij gjatë pandemisë.

Por, “llafi” për Grenellin nuk mbaron me kaq.

Kurti i cili vazhdon e ha “rrengun” e rusëve, flet për pozitën e re të Grenellit në administratën Trump, – emërimin e tij si drejtor të përkohshëm ekzekutiv të Qendrës Kennedy – duke thënë se presidenti i ShBA-së e kishte vendosur për të udhëhequr një institucion kundër “drag queen-ëve”, ani pse Kurti potencon se “ai është gej”, ndërsa pyet dhe “presidentin letonez” nëse e dinte që Grenell është “gej”.

Duke i theksuar orientimin seksual të Grenellit, Kryeministrit Kurti rrëfyshëm i vie deklarata si përgjigje ndaj pyetjes që i bëri, se edhe vetë “presidenti letonez” me të cilin supozohej që po bisedonte është “gej”.

“E di të që unë jam gej?”, është pyetja drejtuar Kurtit, i cili sikur në siklet thotë se nuk e dinte një gjë të tillë për “presidentin e Letonisë”

Kurti, gjithmonë nën pretendimin se nga ana tjetër e telefonit kishte Presidentin e Letonisë, Edgars Rinkēvičs, i flet atij edhe për hyrjen në NATO, dhe përgatitjet që shtetit i Kosovës po bën. Ndërsa këtu i përmend edhe sulmin në Ibër Lepencë, që siç i thotë në bisedë, pas tij ka qenë Serbia dhe Rusia.

Kryeministri Kurti nuk lë pa përmendur edhe terroristin Milan Radoiçiq, për të cilin i thotë “presidentit letonez” se është lider i serbëve në veri, dhe se kur “ai” i thotë ta arrestojë, Kurti ia kthen se s’mundet pasi ndodhet në Serbi.

Në fund të bisedës telefonike, Kurti i ankohet atij edhe për “masat e padrejta” ndaj Kosovës.