Gjykata turke ka urdhëruar që kryetari i Stambollit, Ekrem Imamoglu, kundërshtari kryesor i presidentit Rexhep Tajip Erdogan, të mbahet në paraburgim, raportuan mediat turke.
Imamoglu, një figurë kyçe e opozitës, u arrestua të mërkurën nën akuzat për korrupsion dhe ndihmën ndaj një grupi terrorist. Arrestimi i Imamoglu shkaktoi protesta masive, pavarësisht se autoritetet rritën masat e sigurisë në shumë rrugë qendrore dhe ndaluan të gjitha grumbullimet dhe demonstratat në qytet deri më 26 mars. Urdhri i gjyqtarit për paraburgim erdhi sot në lidhje me akuzën për korrupsion. Mbrëmë, Erdogan kritikoi protestat në Turqi dhe akuzoi forcën kryesore opozitare se po përpiqej të “prishte paqen”.