Gjykata e urdhëron administratën e Trumpit që të kthejë në punë mijëra punëtorë të shkarkuar

Gjykatësit federalë në Kaliforni dhe Maryland të Shteteve të Bashkuara të enjten e urdhëruan administratën e presidentit Donald Trump që të kthejë në punë mijëra punëtorë federalë në provë, të cilët i kishin humbur vendet e punës si pjesë e shkarkimeve masive të kryera në 19 agjenci.

Këto vendime ishin goditja më domethënëse deri më tani ndaj përpjekjes së Trumpit dhe këshilltarit të tij të lartë, Elon Musk, për ta zvogëluar në masë drastike burokracinë federale. Agjencitë federale ballafaqohen me një afat për të dorëzuar plane për një valë të dytë të shkarkimeve dhe për zvogëlimin e buxheteve të tyre, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.

Gjykatësi i qarkut në Baltimore, James Bredar, u pajtua me 20 shtete të udhëhequra nga demokratët se 18 prej agjencive të cilat kishin shkarkuar punëtorë në provë në mënyrë masive javëve të fundit i kanë shkelur rregulloret me të cilat menaxhohet largimi nga puna i punëtorëve federalë.

Urdhri i këtij gjykatësi për rikthimin e punëtorëve në vendet e tyre të punës vlen, mes tjerash, për Agjencinë për Mbrojtje Mjedisore, Byronë për Mbrojtjen Financiare të Konsumatorëve dhe Agjencinë për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID).

Agjenci të tjera që përfshihen në urdhrin e gjykatësit Bredar janë edhe Departamenti i Bujqësisë, Departamenti i Tregtisë, Departamenti i Arsimit, Departamenti i Energjisë, Departamenti i Shëndetësisë dhe Shërbimeve Humane, Departamenti i Sigurisë së Atdheut, Thesari e disa agjenci të tjera.