Gjykata e Lartë e Drejtësisë e Katalonjës ka pranuar ankesën e ish-futbollistit Dani Alves kundër dënimit të tij me katër vjet e gjysmë burg për sulm seksual ndaj një gruaje në një klub nate në Barcelonë.
Gjykata e ka rrëzuar dënimin duke theksuar se nuk ka prova të mjaftueshme për të “tejkaluar standardet e kërkuara nga prezumimi i pafajësisë”. Vendimi i shpallur këtë të premte, nënkupton shfajësimin e futbollistit por mund të apelohet.
Alves u shpall fajtor në shkurt 2024 për përdhunimin e një gruaje në një klub nate në dhjetor 2022 dhe u dënua me katër vjet e gjysmë burg.
Ish-ylli i Brazilit dhe Barcelonës u lirua nga burgu në mars 2024, ndërkohë që priste që apeli i tij të shqyrtohej nga një gjykatë më e lartë.
Në shkurt 2024, Gjykata e Barcelonës e kishte dënuar Alves me katër vjet e gjysmë burg, pesë vjet mbikëqyrje pas lirimit dhe nëntë vjet ndalim afrimi ndaj “viktimës”.
Gjithashtu, ai ishte detyruar të paguante një dëmshpërblim prej 150,000 eurosh për viktimën.
Në vendimin e saj, dhoma e apelit e Gjykatës së Lartë të Drejtësisë së Katalonjës, e përbërë nga tre gra dhe një burrë, vlerësoi se dëshmia e “viktimës” nuk ishte “e mjaftueshme për të mbajtur në fuqi dënimin e të akuzuarit” dhe se në këtë rast mbizotëron e drejta për prezumimin e pafajësisë, siç raportoi “Cadena SER”.