Gazetarët e Zërit të Amerikës padisin Trumpin!

Agjencia Amerikane për Media Globale, drejtori i saj në detyrë Victor Morales dhe këshilltari special Kari Lake vendosën në pushim mbi 1300 punonjës dhe shkurtuan fondet për disa shërbime të lajmeve të shtunën e kaluar.

Bëhet e ditur se këto veprime shkelnin Amendamentin e Parë dhe ligjet me të cilat Kongresi autorizoi dhe financoi Zërin e Amerikës, sipas një ankese të paraqitur në gjykatën federale të New Yorkut, shkruan Reuters.

Shkurtimet janë pjesë e një shtytjeje gjithëpërfshirëse të presidentit Donald Trump dhe miliarderit Elon Musk për të ‘tkurrur’ qeverinë federale, e cila sipas tyre keqpërdorë paratë e taksapaguesve amerikanë.

Padia kërkon një urdhër gjykate që anulon vendimin për mbylljen e Agjencisë Amerikane për Median Globale, e cila financon Zërin e Amerikës dhe media të tjera si Radio Evropa e Lirë.

Mbyllja e shpejtë do të inkurajojë regjimet autoritare në mbarë botën, sipas padisë.

“Në shumë pjesë të botës një burim vendimtar i lajmeve objektive është zhdukur dhe vetëm media e lajmeve e censuruar e sponsorizuar nga shteti ka mbetur për të mbushur boshllëkun”, shkruajnë paditësit.

Ndryshe, që nga fillimi i tij për të luftuar propagandën naziste në kulmin e Luftës së Dytë Botërore, Zëri i Amerikës (VOA) u rrit për t’u bërë një transmetues mediatik ndërkombëtar, duke operuar në më shumë se 40 gjuhë në internet, në radio dhe televizion, duke përhapur narrativat e lajmeve të SHBA-së në vendet ku mungon shtypi i lirë.

Sipas ankesës, Zëri i Amerikës, Radio Evropa e Lirë dhe Radio Azia e Lirë kishin më shumë se 425 milionë dëgjues çdo javë përpara se të mbylleshin.