Gashi: Le të jetë ky alarmi i fundit që duhet të na kthjellojë

Në mbrëmjen e donatorëve me thirrje telefonike në TV Kanal 5 për ndihmë për viktimat e tragjedisë në Koçan, mori pjesë edhe kryetari i Kuvendit Afrim Gashi, i cili nga studio dërgoi mesazhe për bashkim, duke theksuar se “trishtimi dhe dhimbja na lëndon të gjithëve” dhe se duhet të tregojmë solidaritet.

Ai tha se është “koha e duhur të përcaktojmë prioritetet në vend dhe të mos ndahemi sipas identiteteve sepse jemi të lodhur nga kjo”. Siç tha, “të gjithë po shikojnë një rrezik të mundshëm në të ardhmen dhe ky duhet të jetë alarmi përfundimtar që duhet të na kthjellojë”.

“Ne jemi njerëz para së gjithash dhe duhet të ndërtojmë institucionet së bashku. Unë personalisht kam dhuruar, por mendoj se duhet të inkurajojmë të gjithë qytetarët që të dhurojnë sa të munden dhe si shoqëri të reagojnë në atë mënyrë dhe institucionet tona të vihen në funksion të situatës. Të japim kapacitetin tonë të plotë, kurse ai nuk është i vogël, sepse kemi profesionistë të shkëlqyer, mes tyre edhe mjekë. Nëse reagojmë kështu, jam i bindur se reagimi do të jetë i mirë dhe do të ketë ngushëllim për ata që kanë humbur më të dashurit e tyre, edhe pse pikëllimin nuk mund ta kompensojmë”, tha Gashi.

Sa i përket reagimeve të opinionit se pse Kuvendi përveç javës së kaluar nuk po punon këtë javë, Gashi u përgjigj se Kuvendi ka punuar edhe javën e kaluar edhe këtë javë, por në shenjë respekti nuk ka pasur seanca plenare dhe komisione. Për këtë, tha ai, është rënë dakord me koordinim, të ashtuquajturin takim të koordinatorëve të grupeve parlamentare.

“Nuk ka seanca në shenjë respekti, që të mos ketë defokus dhe të hapim tema të tjera të politikës dhe politikës ditore që do të neveritin qytetarët. Donim të tregonim solidaritet dhe empati”, tha kryetari i Kuvendit.

Kuvendi nuk ka dhuruar si institucion për ndihmë pas aksidentit në Koçan, por ka vendosur, tha ai, “që secili deputet të dhurojë sipas dëshirës dhe ndërgjegjes së tij”.

“Por jam i bindur se tashmë kanë dhuruar dhe u bëj thirrje atyre që nuk kanë dhuruar ta bëjnë këtë”, tha Gashi, i cili mori pjesë në mbrëmjen e donatorëve në TV Kanal 5.