Fetai përkujton 26 vjetorin e ndërhyrjes ushtarake të NATO-s në Kosovë

Zëvendëskryeministri i Maqedonisë së Veriut për politika të qeverisjes së mirë, Arben Fetai, ka përkujtuar 26 vjetorin e ndërhyrjes ushtarake të NATO-s kundër caqeve serbe në Kosovë duke nënvizuar rëndësinë e këtij momenti historik për paqen dhe stabilitetin në rajon.

Në një postim në profilin e tij në Facebook, Fetai theksoi se bombardimet e NATO-s ndihmuan çlirimin e Kosovës dhe ndaluan shtypjen dhe krimet e regjimit të Millosheviqit kundër kosovarëve.

“Ky moment historik hapi rrugën drejt paqes dhe stabilitetit në rajonin tonë,” shkroi ai.

Ai gjithashtu vuri në dukje rolin e Maqedonisë së Veriut si një anëtare krenare e NATO-s, e angazhuar në misione paqeruajtëse për një botë më të sigurt.

“Le të vazhdojmë të ndërtojmë mbi themelet e paqes dhe lirisë që u vendosën atëherë,” përfundoi Fetai.