Lëvizja Serbe “Dveri”, parti kjo politike nacionaliste dhe populiste e krahut të djathtë në Serbi, ka thënë se presidenti serb, Alleksandar Vuçiq, po angazhon policë serbë të pensionuar të Kosovës për protestën e paralajmëruar studentore më 15 mars në Serbi.
Kjo parti ka thënë se “sipas informacioneve që kemi marrë, Alleksandar Vuçiq për 15 mars do të angazhojë policë të pensionuar të Kosovës në mënyrë që të shkaktojë trazira nëpër Beograd, ndërsa një pjesë e tyre veçse janë nisur në kryeqytet dhe atë me një grup personash që do të kalojnë ditët në vijim në Parkun e ‘Pionerit’”.
“Gjegjësisht, bëhet fjalë për policë të cilët ishin të punësuar në Ministrinë e Punëve të Brendshme të Serbisë, dhe ishin integruar në të ashtuquajturën Polici të Kosovës (SHPK), dhe më pas u larguan nga SHPK-ja”.
“Pas largimit nga SHPK-ja, ish-pjesëtarët e MPB-së janë pensionuar nga shteti serb dhe tani përveç pensioneve marrin edhe kompensim për pagat që kanë marrë nga SHPK-ja, ndërsa ata që kanë qenë të punësuar drejtpërdrejt në SHPK marrin kompensim financiar edhe nga buxheti i Republikës së Serbisë”.
“As njëra palë e as tjetra nuk punojnë asgjë dhe marrin kompensim nga shteti serb prej 65.000 dinarësh në muaj, ndërsa ish-punonjësit e MPB-së kanë edhe pensione nga 70-80.000 dinarë. Për këtë angazhim shtesë, sipas informacioneve konfidenciale që kemi marrë, regjimi aktual i Vuçiqit u jep 100 euro në ditë”.
“Të gjithë ata janë ftuar që në ditët në vijim, para 15 marsit dhe protestës së madhe të paralajmëruar të organizuar nga studentët, të jenë në Beograd dhe të vihen në dispozicion të regjimit”, ka thënë kjo parti politike, siç raporton gazeta serbe “Danas”.
Protesta e paralajmëruar më 15 mars në Beograd, ka marrë vëmendje të madhe të presidentit serb Vuçiq. Ai madje ka parashikuar se e njëjta do të jetë e dhunshme, ndonëse deri më tani këto protesta kanë qenë të qeta.