Dodik jashtë Bosnjës për shtatë ditë, në pritje të vendimit të Interpolit

​Milorad Dodik, president i Republikës Srpska në Bosnjë dhe Hercegovinë, është arratisur jashtë vendit që prej të hënës së kaluar.

Ai udhëtoi fillimisht për në Beograd për të marrë pjesë në përkujtimin e përvjetorit të goditjes së NATO-s, së bashku me presidentin serb Aleksandar Vuçiq.

Më pas, Dodik udhëtoi për në Izrael, por pas disa situatash të papëlqyeshme, u kthye në Beograd me avionin e qeverisë së Republikës Srpska.

Tri orë pas mesnate të së shtunës, Dodik postoi në rrjetin social X, duke shkruar “Kam mbërritur”, por ende nuk është e qartë se ku ndodhej.​
Gjykata e Bosnjë dhe Hercegovinës ka lëshuar një urdhër-arrest ndërkombëtar për Dodik, dhe pritet miratimi i fletarrestit nga Interpoli.

Sipas prokurorisë, Dodik dhe Nenad Stevandić, duke shfrytëzuar pozitat e tyre të larta në njësinë e Republikës Srpska, kaluan kufirin pa leje dhe u larguan nga Bosnja. ​

Situata ka shkaktuar tensione të larta, duke rrezikuar stabilitetin e Bosnjë dhe Hercegovinës.

Ekspertët e sigurisë paralajmërojnë për mundësinë e përplasjeve të armatosura në rast se Dodik arrestohet.