Do të ndryshohet Ligji për rendin dhe qetësinë, do të vihet rend në përdorimin e mjeteve piroteknike
Projektligji i VMRO-DPMNE-së, për rendin dhe qetësinë ne publik, sipas partisë, ngushton rrethin rreth atyre që krijojnë rreziqe nëpërmjet keqpërdorimit dhe përdorimit të paligjshëm të mjeteve piroteknike, veçanërisht në ambiente të mbyllura.
Nga VMRO-DPMNE njoftojnë se po fuqizohen rregulloret për përdrorimin e fishekzjarreve dhe ngjarjeve të ngjashme që përdorin eksploziv.
“Nëpërmjet kësaj zgjidhje ligjore po zgjerojmë edhe kompetencat e policisë. Një mekanizëm përmes të cilit do të mundësojmë kontroll më të madh të përdorimit të eksplozivëve, si dhe zbatim më të shpejtë dhe më efikas të këtij ligji. Kjo është vetëm një nga zgjidhjet ligjore që do të bëjë përmirësime të rëndësishme për rritjen e sigurisë. Në periudhën e ardhshme në kuvend do të kalojnë edhe propozime të tjera që janë përgatitur gjatë 2 javëve të fundit. U bëj thirrje të gjithë kolegëve të mi deputetë, pa marrë parasysh përkatësinë politike, ta përkrahin këtë projektligj, sepse është një ndryshim thelbësor që na tangon të gjithve”, tha Toni Jarevski, deputet i VMRO-DPMNE-së.
Në zjarrin e rënë në diskotekën “Pulse” më 16 mars 2025, jetën e humbën 59 persona, midis të cilëve 6 të mitur, u lënduan 196 persona të cilët trajtohen brenda dhe jashtë vendit.
Sipas hetimeve të deritanishme nga institucionet, diskoteka nuk kishte rrjet hidranti dhe mjaftueshëm aparate PP, përdoreshin materiale piroteknike në mënyrë të paligjshme, nuk kishte as leje pune të ligjshme dhe nuk ishte lidhur asnjë kontratë me shkrim mes organizatorit dhe grupit interpretues.
Prokuroria në Koçan dhe Prokuroria për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit kanë identifikuar si të dyshuar gjithsej 34 persona dhe tre kompani për krime të rënda kundër sigurisë publike. Ndërkaq, Ministria e Punëve të Brendshme ka ngritur kallëzime penale kundër tyre, në mesin e tyre ka ish-funksionarë shtetërorë. Në paraburgim janë 24 persona.