Dimitrieska-Koçoska: Qeveria është përkushtuar të ndihmojë që nga dita e parë e tragjedisë në Koçan, janë ndarë mjete, shteti po mbulon shpenzimet e të lënduarve, nuk ka nevojë për mjete shtesë nga familjet

Qeveria ofron përkrahje maksimale për familjet e viktimave nga zjarri i shkaktuar në Koçan.

Krahas përkrahjes financiare që u sigurua përmes Buxhetit për familjet që kanë të afërmit e tyre që po trajtohen jashtë vendit, fokusi është sigurisht në vazhdimin e përkrahjes në këtë proces, i cili do të jetë afatgjatë. Kështu deklaroi ministrja e Financave Gordana Dimitrieska-Koçoska, në programin e hapur humanitar “Kanali 5 dhe Maqedonia për Koçanin”.

“Qeveria ka qenë e përkushtuar të ndihmojë që nga dita e parë. Miratuam vendim me të cilin ridestinuam apo ndamë mjete për familjet e atyre pacientëve që po kurohen jashtë vendit me qëllim që t’u ndihmojmë në këto momente me transportin dhe akomodimin e tyre. Qeveria i ofron përkrahje maksimale edhe Kryqit të Kuq në arkëtimin e mjeteve nga donacionet, sepse është dashur që të reagohet shpejt dhe procesi të jetë sa më efikas”, tha ministrja.

Ajo potencoi se të gjithë pacientët janë nën kujdesin e shtetit dhe se vendi po qëndron pas tyre dhe nuk ka nevojë për mjete të tjera nga ana e familjeve.

“Më tej, ministrja shtoi se përkujdesi nga ana e Qeverisë do të vazhdojë edhe në periudhën e ardhshme. Nuk mund të dihet paraprakisht se sa mjete do të nevojiten. Fokusi është rikthimi i të gjithë të lënduarve që po trajtohen jashtë vendit dhe natyrisht t’i ndihmohet Koçanit me investime”, theksoi ministrja.

Ajo iu referua edhe kontrolleve që po kryhen dhe theksoi se kjo tragjedi ka treguar në praktikë se ligjet që janë shkruar duhet të respektohen.