Liderët politikë të Irlandës kanë deklaruar se Conor McGregor nuk përfaqëson vendin, pas vizitës së tij në Shtëpinë e Bardhë për një takim me presidentin amerikan Donald Trump me rastin e Ditës së Shën Patrikut.
McGregor, i shoqëruar nga partnerja dhe katër fëmijët e tij, vlerësoi etikën e punës së Trump si “frymëzuese” dhe premtoi të ngrinte çështjet e emigracionit në Irlandë. Trump e vlerësoi McGregor si një “punëtor fantastik”, shkruan A2 CNN.
Javën e kaluar, gjatë një takimi me kryeministrin irlandez Micheál Martin, presidenti amerikan lavdëroi tatuazhet e McGregor. Luftëtari i MMA mori gjithashtu pjesë në inaugurimin e Trump në janar.
Megjithatë, McGregor është një figurë kontroverse. Në vitin 2024, një grua që e akuzoi për dhunë seksuale fitoi një proces gjyqësor kundër tij, duke e detyruar atë të paguajë mbi 248 000 euro dëmshpërblim.