Conor McGregor shpall kandidaturën për President të Irlandës

Ylli i arteve marciale të përziera (MMA) dhe ish-kampioni i UFC-së, Conor McGregor synon të kandidojë për president të Irlandës, duke premtuar se do ta sfidojë qëndrimin e qeverisë për Paktin e BE-së për Migracionin dhe duke mbrojtur një referendum publik për këtë çështje.

McGregor ka deklaruar se kundërshton marrëveshjen e migracionit, të cilën Irlanda duhet ta zbatojë plotësisht deri më 12 qershor 2026.

Ai kritikoi zyrtarët e qeverisë për mbështetjen e paktit dhe premtoi se do t’u japë qytetarëve fjalën e fundit.

“Kush tjetër do t’i rezistojë qeverisë dhe do ta kundërshtojë këtë ligj? Çdo kandidat tjetër presidencial që ata përpiqen të paraqesin nuk do t’i rezistojë atyre. Unë do t’i rezistojë”, ka postuar ai në Instagram.

Ai ka deklaruar se këtë projektligj si president do ta hedhë në referendum.

“Ndërsa unë e kundërshtoj fuqishëm këtë pakt, nuk është as zgjedhja ime dhe as e qeverisë. Është zgjedhje e popullit të Irlandës. Gjithmonë. Kjo është demokracia e vërtetë!”

McGregor pyeti pse zyrtarët e qeverisë “pajtonin kaq fort” me paktin dhe bëri thirrje për një debat të ndjekur nga një votim publik.

Njoftimi i tij e pozicionon atë si një sfidues ndaj establishmentit politik përpara zgjedhjeve presidenciale të Irlandës, të cilat duhet të mbahen deri më 11 nëntor 2025.

Pakti i BE-së për migracionin synon t’i reformojë politikat e azilit dhe migracionit në të gjithë bllokun, duke kërkuar nga shtetet anëtare të miratojnë ligjet e nevojshme brenda një afati kohor të caktuar./TRT/