Britania nuk do të vendos forca paqeruajtëse në Ukrainë pa mbështetjen e SHBA-së

Mbretëria e Bashkuar nuk dëshiron të vendosë forca paqeruajtëse në Ukrainë pa garanci sigurie dhe mbështetjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, deklaroi sot ministri britanik i Forcave të Armatosura.

Ministri i Forcave të Armatosura, Luke Pollard, tha për Times Radio se plani i kryeministrit britanik, Keir Starmer për një “koalicion të vullnetarëve” që do të mbikëqyrte çdo marrëveshje paqeje midis Ukrainës dhe Rusisë varet nga përfshirja e SHBA-së – pavarësisht këmbënguljes së Donald Trumpit se vendi i tij nuk do të përfshihet drejtpërdrejt në një plan të tillë.

I pyetur nëse qeveria britanike është e gatshme të dërgojë trupa në Ukrainë nëse SHBA-ja tërhiqet, Pollard u përgjigj se asgjë nuk funksionon pa mbështetjen amerikane, sipas Politico.

“Jo, kryeministri ka qenë shumë i qartë se për të bashkuar kombet evropiane dhe aleatët e tjerë nga e gjithë bota për të përgatitur forcat që do të sigurojnë paqen, nevojitet mbështetja dhe përfshirja amerikane. Kjo është një bisedë që ai ka zhvilluar me presidentin në Zyrën Ovale. Është një dialog i vazhdueshëm që po zhvillojmë”, shtoi ai.

Komentet e Pollardit vijnë ndërsa udhëheqësit ushtarakë evropianë nga rreth 30 vende po takohen sot në Londër për të diskutuar dhe përcaktuar detajet dhe fazën operative për të siguruar çdo armëpushim të mundshëm.