Bexheti: Nuk paralajmëruam bojkot në zgjedhjet lokale, por ka mundësi për krizë politike

Nëse cenohet Ligji i gjuhëve, gjithsesi se do të ketë krizë politike, thotë Blerim Bexheti nga BDI në një intervistë për Radion Evropa e Lirë. Ai vlerëson se në një situatë të tillë nuk do të mund të mbaheshin zgjedhje lokale. Shtetit, sipas tij i duhen edhe zgjedhje të parakohshme parlamentare.

I pyetur për paralajmërimin e BDI-së se nuk do të ketë zgjedhje lokale nëse me to paralelisht nuk mbahen edhe zgjedhje parlamentare, nëse preket Ligji për gjuhët dhe nëse kjo mund të interpretohet si bojkot, ose si paralajmërim për krizë politike që do të pengojë të mbahen zgjedhje lokale, Bexheti thotë – “përkundrazi, ne nuk kemi paralajmëruar kurrfarë bojkoti, ne gjithnjë kemi qenë dhe jemi të gatshëm për zgjedhje, edhe në zgjedhjet e fundit parlamentare, legjitimiteti i zgjedhjeve i shqiptarëve etnikë, dhe bashkësive të tjera etnike është te Fronti Evropian”.

“Zgjedhjet e parakohshme parlamentare në Kuvend u hapën si debat nga të gjithë, duke filluar nga kryeministri Mickovski. Por fakt është se vendit i duhen zgjedhje të parakohshme parlamentare për të dalë nga kjo situatë në të cilën nuk respektohet legjitimiteti i bashkësisë së dytë etnike në vend. Sepse vetëm kështu do të rikthehet stabiliteti, stabiliteti politik, por edhe mundësia e stabilitetit në ekonomi dhe në të gjitha sferat e tjera në vendin tonë dhe për të punuar drejt progresit dhe të mirës së përgjithshme të qytetarëve. Është e papranueshme të respektohet vetëm një legjitimitet në shtet nga dy bashkësitë më të mëdha etnike në vend, andaj kërkojmë zgjedhje të parakohshme parlamentare. Ndërsa në drejtimin tjetër sa i përket njoftimeve për Ligjin për gjuhët, po është e vërtetë, sepse kemi pasur takime me qytetarët. Në ato takime me qytetarë që kemi pasur me degët e BDI-së, qytetarët kanë pasur rastin t’i bëjnë pyetje kryetarit Ali Ahmeti dhe gjithë të tjerëve dhe nëse i përcjellim të gjitha pyetjet dhe komentet, shqetësimi për këtë çështje shumë të ndjeshme është në nivelin më të lartë. Natyrisht, ne jemi të zgjedhur nga shqiptarët dhe qytetarët dhe jemi të vetëdijshëm se çfarë do të jetë reagimi dhe për këtë është shprehur qëndrimi se nuk ka gjasa të ketë zgjedhje lokale, sepse po prishet stabiliteti etnik dhe gjithsesi po prishet”, thotë Bexheti.

Në pyetjen nëse pret trazira në atë kontekst u përgjigj se nuk mund të pritet stabilitet .

“VMRO-DPMNE është në mesin e 13 subjekteve politike që kanë iniciuar nisma të tilla para Gjykatës Kushtetuese dhe do të prisnit nga ata që kanë legjitimitet të mohojnë të drejtat e bashkësisë së dytë etnike. Mendoj se është e qartë se në çka shpie. Nuk është rastësi që kemi pasur edhe pyetje të deputetëve dhe qëndrime të tjera, qëndrime politike dhe kemi pritur që së paku për korrektësi dhe respekt ndaj bashkësisë së dytë etnike të tërhiqej ajo nismë. E pse të mos debatohet për të gjitha fushat e progresit, jo regres i të drejtave të shqiptarëve”, thekson Bexheti, duke shtuar se sigurisht që do të ketë krizë politike nëse cenohet Ligji për gjuhët.

Sipas Bexhetit, për zgjedhjet lokale ka kohë, deri më tani nuk është vendosur as për kandidatë, as është definuar me partnerët e koalicionit. “Periudhën para nesh për fat të keq edhe këtë muaj, një organ parapolitik siç është Gjykata Kushtetuese do të eksperimentojë ‘në parimin e drejtësisë’ me ligjin për përdorimin e gjuhës shqipe”, thotë Bexheti.

Duke e komentuar pretendimin e Gjykatës Kushtetuese se nuk debaton për të drejtën e përdorimit të gjuhës, Bexheti thotë se “ata nuk munden çdo muaj të eksperimentojnë me të drejtat e bashkësisë së dytë etnike në shtet, duke i pasur parasysh edhe qëndrimet e kryetares së Gjykatës Kushtetuese dhe mënyrës në të cilën votohet në Gjykatën Kushtetuese me votim etnik, tashmë është e palejueshme. Të gjithë duhet ta marrim përgjegjësinë dhe të jemi të kujdesshëm, jo t’ia mohojmë të drejtat njëri-tjetrit”, shton Bexheti.

Thotë se nuk ka kontakt me ish funksionarin e BDI-së, Artan Grubi i cili është në arrati dhe theksoi se qëndrimi i partisë është se çdonjëri që ka gabuar para ligjit duhet të përgjigjet para organeve.