Berisha: Rama të vijë në debat, por është mbyllur me zhaba dhe Lali Lulin

Ditën e sotme, gjatë konferencës për shtyp nga selia blu, kryetari i PD, Sali Berisha, sfidoi Kryeministrin Edi Rama në debat para zgjedhjeve të 11 majit.

“Një njeri që ka qeverisur 12 vite duhej të ishte 12 herë i gatshëm të dilte para qytetarëve. Dhe bën lojën e klounit. Ka gjetur një Lali Lulin aty dhe e zëvendësoi Lali Erin dhe kjo është paraqitja e tij. Është dizastër. Të vijë në debat televiziv, qoftë edhe për një temë të vetme. Të dalim në debat për integrimin evropian, të vijë. Integrimi i tij evropian është një piramidë madhore mashtrimi”, tha Berisha.

“Po, del me pasaportë ky, po prit, çfarë u ofron shqiptarëve? U ofron shqiptarëve integrimin evropian me largimin nga Shqipëria dhe integrimin në Europë të tyre. Kurse Shqipëria protektorat krimi, droge dhe hajnie. Prisni se të vërtetat nuk i fshehin dot as thellësitë e oqeaneve, as bërthama e tokës, as galaksitë. Kudo që të jenë ato, do të dalin dhe shqiptarët do marrin vesh dora-dorës se si po dalin ato vrullshëm”.