Pasi Rama i ktheu përgjigje Bashës, i cili e ironizoi për “shokët” që kanë përfunduar pas hekurave, si ministra, deputetë dhe zyrtarë të lartë të PS, kreu i Demokratëve Euroatlantikë nuk e ka vonuar mesazhin e radhës.
Basha ia ka kthyer duke i thënë se “gjithë jetën ngeli pasagjer” e se timonierët, referencë këtu për ata që firmosin tenderat, i ka tashmë në burgun 313.
“O Rame, pasagjer ngele mër burrë. Si s’të pash njëherë në timon. Apo harrova s’di me i dhonë ti, i japin të tjerët për ty. Masanej firifiu i çon te vendi ti apo jo? Ëëëë… Ku i ke shokët mër Ram.
Ku i ke ata që i veshe në timon. Ata që firmosshin për ty. Mirë një në burg, dy në burg, tre në burg, katër në burg, pesë në burg, gjashtë në burg. Po o mush 313 me shokët e tu me Rame”, thotë Basha në videon e fundit.
Më tej Basha ironizon se kryeministri mund të jetë mashtruar nga ish-ministrat e tij që kanë shkuar në burg për korrupsion, duke gjetur vend këtu ta krahasojë me bufin, referencë që Rama e përdor për kreun e PD, Sali Berisha.
“Ose ti je më buf se bufi dhe të vjedhin shokët pas shpine. Ose ti je nona kësaj pune. Je kreu i Bandës. E Rame, Rame”, shprehet Basha.
Në fund edhe një mesazh i koduar nga Basha: “Kam një porosi po ta le të Çani, këto dy paketat”, thotë Basha, duke lënë të nënkuptohet një arrestim të mundshëm të shefit të qeverisë, pasi shprehja u bë e famshme nga avokati Maks Haxhia kur u burgos ish-ministri Saimir Tahiri.