Ambasadori i Shqipërisë në Maqedoninë e Veriut, Denion Meidani ka kujtuar 44-vjetorin e demonstratave studentore në Kosovë.
Ai ka marrë pjesë në akademinë përkujtimore për 44-vjetorin e këtyre demonstratave, të cilat sipas tij paraqesin një moment historik që ndezi guximin dhe shpresën për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës.
“Në këtë ditë të veçantë, pata kënaqësinë t’i përshëndes studentët e parë që morën diplomën e magjistraturës në Histori dhe Marrëdhënie Ndërkombëtare. Një gjeneratë që, me dije dhe përkushtim, po ndërton mbi themelet e sakrificave të së kaluarës, duke ruajtur të gjallë identitetin dhe kulturën tonë kombëtare.
Veçanërisht domethënëse ishte prania e veprimtarëve të 81-shit, studentëve të asaj kohe, të cilët me guximin e tyre u kthyen në zërin e një populli që kërkonte drejtësi dhe dinjitet. Mes tyre sot, pata nderin të përshëndes veprimtarë si Hydajet Hyseni, Binak Ulaj dhe Xhevat Gjini, dëshmitarë dhe protagonistë të atyre ditëve vendimtare, që me sakrificën e tyre hapën rrugën për gjeneratat e sotme.
Të rinjtë shqiptarë janë forca e ndryshimit dhe e ardhmja jonë më e sigurt”, shkroi Meidani në platformën X.