Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti përmes një postimi në profilin e tij ka ndarë dhimbjen me familjen Xhemaili që sot u ndanë nga nëna e tyre e cila i dha shumë këtij kombi.
Sot u ndamë vetëm fizikisht me Nënën Fatime Xhemaili, një nënë e cila përjetë do të mbetet një simbol i dashurisë, sakrificës dhe heroizmit të papërshkrueshëm për atdheun. Nëna Fatime ishte një grua e fortë dhe e vendosur, që dha një shembull të madh atdhedashurie.
Ajo ia dhuroi pasardhësve të saj – Bajrushit, Mustafës, Emrushit, Qamilit, Mufailit, Nazifjes dhe Lumnijes – jo vetëm dashurinë e patundur për atdhenë, por edhe mësimin e qëndresës dhe besimin e palëkundur në drejtësinë e luftës sonë për liri dhe pavarësi. Kjo trashëgimi është një mundësi dhe përgjegjësi e madhe për të gjithë ne, që të nderojmë gjithmonë kujtimin e saj dhe të vazhdojmë rrugën që ajo e shtriu me aq sakrifica.
I lehtë të qoftë dheu i Kosovës, Nënë Fatime. U prehsh në paqe, e lavdëruar dhe e nderuar përgjithmonë për gjithçka ke bërë. Je një shembull i paepur i dashurisë për atdheun dhe për fëmijët e tu, që do të mbeten gjithmonë përkrah nesh, në çdo hap të rrugës që kemi përpara.