Zëvendëskryeministri i parë i Maqedonisë së Veriut, Izet Mexhiti, ka nisur ditën e sotme në Uashington me pjesëmarrjen në “Lutjet e Mëngjesit”, një ngjarje tradicionale dhe me rëndësi të veçantë, e cila mbledh liderë politikë dhe personalitete me ndikim nga mbarë bota.
Në këtë event të nivelit të lartë, Mexhiti theksoi rëndësinë e dialogut dhe reflektimit, si dhe rolin kyç të partneritetit strategjik me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ai nënvizoi se gjatë vizitës së tij në Uashington, është angazhuar për forcimin e lidhjeve të Maqedonisë së Veriut me botën demokratike, duke promovuar vlera të përbashkëta dhe miqësi mes kombeve.
“Besimi, vlerat dhe miqësia mes kombeve janë ura që na bashkojnë dhe mbi të cilat duhet ta ndërtojmë një të ardhme gjithëpërfshirëse,” ka deklaruar Mexhiti.
Gjatë qëndrimit të tij në ShBA, zv. kryeministri Mexhiti ka zhvilluar një sërë takimesh të rëndësishme, duke konfirmuar përkushtimin e Maqedonisë së Veriut për thellimin e bashkëpunimit ndërkombëtar dhe fuqizimin e partneriteteve strategjike.