Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, ka thënë se synon ta ofrojë tokën ruse që forcat ukrainase e kanë kapur në rajonin Kursk të Rusisë në këmbim të territorit të pushtuar nga Rusia, nëse Ukraina dhe Rusia ulen për të biseduar për përfundimin e luftës.
“Ne do ta shkëmbejmë një territor për një territor tjetër”, tha Zelensky në një intervistë për gazetën britanike Guardian.
Megjithatë, ai shtoi se nuk e di se cilin territor do ta kërkonte Kievi nga Moska në këmbim të pjesës së rajonit të Kurskut.
“Nuk e di, do ta shohim. Por, të gjitha territoret tona janë të rëndësishme, nuk ka prioritet këtu”, tha Zelensky në intervistën e publikuar më 11 shkurt.
Në të kaluarën, Zelensky kishte hedhur poshtë mundësinë e dorëzimit të territorit të pushtuar nga Rusia, e cila e nisi pushtimin e plotë të Ukrainës në vitin 2022.
Zelensky, i cili do të takohet me nënpresidentin amerikan JD Vance dhe zyrtarë të tjerë amerikanë më 14 shkurt në Konferencën e Sigurisë në Munih, tha se është i gatshëm për bisedime serioze.
Intervista u publikua vetëm disa orë para një tjetër sulmi vdekjeprurës me raketa ruse në Kiev. Kryetari i bashkisë së Kievit, Vitaly Klitschko, tha se raketat goditën në orët e para të 12 shkurtit, duke e vrarë të paktën një person dhe duke plagosur tre të tjerë.