VLEN: 300 specializantët e rinj fillojnë punën në institucionet shëndetësore

“Koalicioni VLEN me hapa konkretë për përmirësimin e sistemit shëndetësor, veçanërisht punësimin e 300 specializantëve privatë nga grupi i parë, mes të cilëve më të përfaqësuar janë gjinekologët dhe kardiologët. Ky proces tashmë ka filluar në 20 institucione shëndetësore publike që kanë përfunduar sistematizimet e reja dhe janë gati për të pranuar këta profesionistë.

Gjithashtu, vetëm në institucionet shëndetësore të Shkupit do të punësohen rreth 30 gjinekologë specializantë, duke ndihmuar në përmirësimin e shërbimeve shëndetësore për qytetarët.

Në sektorin e shëndetësisë, janë të planifikuara gjithsej 1.800 vende të reja pune, përfshirë 1.180 infermierë me shkollë të mesme dhe 300 specializantë në fillim të vitit, ndërsa po aq të tjerë pritet të punësohen në fund të vitit.

Koalicioni VLEN mbështet fuqimisht çdo iniciativë që synon përmirësimin e kushteve në sektorin shëndetësor dhe rritjen e kapaciteteve profesionale, duke e konsideruar këtë një hap të rëndësishëm drejt një shëndetësie më efikase dhe më të qasshme për të gjithë qytetarët”, thuhet në komunikatën e VLEN.