Universiteti i Tetovës dhe Universiteti “Isa Boletini” nga Mitrovica nënshkruan memorandum bashkëpunimi

Universiteti i Tetovës dhe Universiteti “Isa Boletini” – Mitrovicë kanë nënshkruar marrëveshje bashkëpunimi që synon forcimin e lidhjeve ndëruniversitare në fushat e arsimit dhe hulumtimit shkencor. Kjo marrëveshje ka për qëllim krijimin e mundësive për bashkëpunim të thelluar dhe përshpejtimin e zhvillimit arsimor dhe shkencor, si dhe për të promovuar mirëkuptimin dhe shkëmbimin e përvojave mes dy institucioneve.

Dy universitetet do të angazhohen për projekte të përbashkëta kërkimore, shkëmbim të stafit dhe studentëve, organizimin e seminareve dhe konferencave si dhe vizita afatshkurtra dhe afatgjata të stafit akademik dhe hulumtues.

Ky bashkëpunim do të kontribuojë në forcimin e cilësisë së arsimit dhe kërkimit shkencor dhe do të hapë mundësi të reja për studentët dhe hulumtuesit për të zhvilluar aftësitë e tyre profesionale.

Marrëveshja është nënshkruar nga rektorët e dy universiteteve, Prof. Dr. Jusuf Zejneli, Rektor i Universitetit të Tetovës, dhe Prof. Dr. Nurten Deva, Rektore e Universitetit “Isa Boletini” – Mitrovicë.

Rektorët këtë marrëveshje e konsideruan me rëndësi historike sepse është një lidhje e thellë mes dy qendrave të dijes që mbajnë në themelin e tyre frymën e rezistencës dhe progresit.

Ndër të tjera, u theksua se ky bashkëpunim do të shërbejë si një urë që bashkon përvojën dhe historinë e dy qyteteve. Universiteti i Tetovës dhe Universiteti “Isa Boletini” në Mitrovicë po dëshmojnë se e kaluara dhe e ardhmja ecin krah për krah. Nga minatorët e Trepçës, që ndezën shpresën për liri, te profesorët dhe studentët e Universitetit të Tetovës, që luftuan për të drejtën për arsim, sot ky bashkëpunim bëhet një shembull i qartë se dija dhe qëndresa janë dy forca të pandashme në rrugën e zhvillimit kombëtar.

Universiteti i Tetovës dhe Universiteti “Isa Boletini” nga Mitrovica nënshkruan memorandum bashkëpunimi