Uashingtoni mirëpret vendimin kundër Milorad Dodik

Zëdhënësja e Departamentit të Shtetit Tammy Bruce njoftoi sot në rrjetin social “X” se Departamenti i Shtetit mirëpret vendimin e shkallës së parë ndaj Presidentit të Republikës Srpska, Milorad Dodik, i cili dje u dënua me një vit burg dhe gjashtë vjet ndalim të veprimtarisë politike për mosrespektim të vendimeve të Përfaqësuesit të Lartë të bashkësisë ndërkombëtare në Bosnje dhe Herzegovinë.

“Ne respektojmë vendimin e Gjykatës së Bosnjës dhe Hercegovinës kundër Presidentit të Republikës Srpska, Milorad Dodik”, ka shkruar Tammy Bruce në postim.

Ajo shtoi se Shtetet e Bashkuara kanë investuar në një Bosnjë dhe Hercegovinë të qëndrueshme për dekada.

“Ne kundërshtojmë me vendosmëri çdo veprim nga udhëheqësit lokalë që do të minonin sigurinë dhe stabilitetin.” “Ne mbështesim Marrëveshjen e Dejtonit dhe sovranitetin dhe integritetin territorial të Bosnje dhe Hercegovinës,” shkroi Bruce në X.