TV Telma: I ndjeri Habib Bunjaku humbi jetën duke u përpjekur të bënte një vepër të mirë

Dy vetura të zeza, të shpuara nga plumbat, u panë paraditen e sotme në parkingun përpara një qendre tregtare në Çair. Në atë vend humbi jetën 35-vjeçari Habib Bunjaku, i punësuar në administratën e kompanisë shtetërore të energjisë, MEPSO.

Bunjaku ndërroi jetë në spital nga plagët e marra në përplasjen me armë mes dy grupeve. Sipas informacioneve të Telma, ai kishte qenë në një festë në një lokal në qendër dhe, gjatë daljes, u përpoq të ndante dy grupe që po konfliktoheshin.

Atëherë Bunjaku u plagos për vdekje, ndërsa policia njoftoi se shkaku i përplasjes me armë mes dy grupeve ishte një mosmarrëveshje lidhur me trafikun, për të cilën ishin informuar rreth dhjetë minuta para mesnatës.

Është raportuar se në një hapësirë parkimi në zonën e Çairit, për shkak të një mosmarrëveshjeje të mëparshme në trafik, ka ndodhur një përleshje mes dy grupeve, gjatë së cilës është përdorur armë zjarri. Në vendngjarje janë gjetur dy pistoleta, disa automjete dhe objekte të tjera të lidhura me rastin, njoftoi policia, respektivisht MPB.

Në incident janë plagosur edhe dy persona të tjerë, ndërsa policia ka bërë të ditur se ka arrestuar katër persona. Nuk ka informacione nëse mes të arrestuarve është edhe ai që ka qëlluar Bunjakun.

Në kuadër të hetimeve, nga vendngjarja janë marrë prova dhe gëzhoja, të cilat do t’i nënshtrohen ekspertizës. Janë siguruar gjithashtu pamje nga kamerat e sigurisë, të cilat po shqyrtohen nga hetuesit e prokurorisë.

Bunjaku ishte djali i një ish-funksionari të BDI-së. Babai i tij, Ekrem Bunjaku, ka qenë drejtor i Inspektoratit Teknik deri në vitin 2017 dhe e ka ushtruar këtë funksion për 8 vite. Hetimet, përveç pistës fillestare se shkaku i incidentit ishte një konflikt në trafik, po shqyrtojnë edhe motive të tjera të mundshme.