Trump thotë se Putin është i gatshëm të pranojë paqeruajtësit evropianë

Presidenti amerikan, Donald Trump, tha se presidenti rus, Vladimir Putin, është i gatshëm të pranojë paqeruajtësit evropianë.

Këto deklarata ai i bëri para takimit me homologun francez, Emmanuel Macron, lidhur me mënyrat se si t’i jepet fund luftës në Ukrainë.

“Ia ka bërë këtë pyetje. Ai nuk ka asnjë problem lidhur me këtë çështje”, tha Trump kur u pyet nga gazetarët lidhur me qëndrimin e Putinit për këtë çështje.

Macron tha se shtetet evropiane “janë gati dhe kanë vullnet që t’i ofrojnë” Ukrainës garanci të sigurisë “që ndoshta do të mund të përfshinin trupa”.

Udhëheqësi francez tha se trupat evropiane që do të dërgoheshin në Ukrainë do të “mbanin paqen” dhe nuk do të dislokoheshin përgjatë vijës së frontit dhe nuk do të bëheshin pjesë e konfliktit.

Vizita e Macronit në Uashington u realizua në përvjetorin e tretë të pushtimit rus të Ukrainës. Ai dhe Trumpi morën pjesë në një takim virtual me udhëheqësit e tjerë të shtatë ekonomive më të industrializuara në botë (G7) për të diskutuar për luftën në Ukrainë.

Po të njëjtën ditë, në Kiev është mbajtur një samit dhe këto zhvillime po ndodhin kur ka ndasi në Perëndim se si t’i jepet fund luftës në Ukrainë.

Para udhëtimit për në SHBA, Macron tha se Trumpit do t’i paraqesë një plan evropian të veprimit për të arritur një marrëveshje për paqe të qëndrueshme, me garanci të forta të sigurisë për Ukrainën.

Gjatë një konference online, ai tha se do t’i thotë Trumpit që të mos shfaqë dobësi para Putinit.

Ndërkaq, duke iu adresua G7-ës përmes video-lidhjes, presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, tha se shpreson që lufta të përfundojë këtë vit, i bëri thirrje Trumpit që të vazhdojë mbështetjen amerikane për Kievin dhe që Ukrainës t’i lejohet anëtarësimi në NATO, gjë që kundërshtohet nga administrata Trump.

“Nëse Ukraina vazhdon të mbetet jashtë NATO-s, do të jetë shumë më e kushtueshme dhe më e ndërlikuar për të gjithë sepse NATO-ja ofron garancitë më të thjeshta dhe më pak të kushtueshme të sigurisë”, tha ai.

Zelensky shtoi se Kievi po punon në mënyrë “produktive” për të arritur një marrëveshje ekonomike me Uashingtonin, teksa SHBA-ja po kërkon qasje në burimet e mineraleve të Ukrainës në këmbim të ndihmës.

Trump ka alarmuar aleatët tradicionalë të SHBA-së në Evropë me gatishmërinë e tij që të rivendosë raportet diplomatike me Putinin dhe të negociojë përfundimin e luftës në Ukrainë, duke rritur shqetësimet se Evropa dhe Kievi mund të lihen anash në këtë proces.

Macron është udhëheqësi i parë evropian që e viziton Trumpin, pasi ai mori pushtetin muajin e kaluar. Më vonë gjatë javës, kryeministri britanik, Keir Starmer, pritet të qëndrojë në SHBA./REL