Treni përplaset me kamionin në Gjermani, 1 i vdekur dhe dhjetëra të plagosur

Një person ka humbur jetën dhe 25 të tjerë janë plagosur nga përplasja e një treni me shpejtësi të lartë me një kamion në Gjermani.

Gjashtë nga të plagosurit janë në gjendje të rëndë pas aksidentit, i cili ndodhi jashtë qytetit të Hamburgut këtë të martë.

Nga informacionet paraprake bëhet me dije se një pasagjer 55-vjeçar ka humbur jetën në vendngjarje.

Pothuajse 300 persona ishin në bordin e trenit kur ai u përplas me kamionin.

Nuk dihen ende shkaqet dhe dinamika e aksidentit. Hetuesit po vijojnë punën për zbardhjen e ngjarjes.

Shoferi i kamionit shpëtoi gjatë aksidentit dhe u dërgua për t’u marrë në pyetje.