Tre vjet nga pushtimi rus, liderët e BE vizitë në Kiev: Ukraina është Evropë

Udhëheqësit e BE-së po zhvillojnë këtë të hënë një vizitë në Ukrainë. Presidenti i Këshillit Evropian Antonio Costa dhe presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen mbërritën në Kiev më 24 shkurt në përvjetorin e tretë të luftës në shkallë të gjerë të Rusisë kundër Ukrainës.

“Ne jemi sot në Kiev sepse Ukraina është Evropë. Në këtë betejë për mbijetesë, nuk është vetëm fati i Ukrainës që rrezikohet. (Në rrezik) është fati i Evropës,” tha Leyen në një postim në mediat sociale, i cili u shoqërua me një video që tregon mbërritjen e saj me tren në Kiev së bashku me Presidentin e Këshillit Evropian Antonio Costa.

Vizita e tyre vjen në një kohë kritike për Ukrainën, pas “përplasjeve” me SHBA. Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky shprehu rezerva për mungesën e Kievit në bisedimet SHBA-Rusi në Riad dhe tha se presidenti amerikan “po jeton në një flluskë dezinformimi”.

Trump iu kundërpërgjigj duke e cilësuar si një “diktator” që nuk pranon që të mbahen zgjedhje në Ukrainë.