Studiuesit nga SHBA-ja dhe Kina thanë se të dhënat nga nëntoka e planetit Mars, tregojnë se mund të ketë pasur oqeane dhe plazhe në planetin e kuq në të kaluarën, transmeton Anadolu.
Hulumtuesit nga Universiteti “Penn State” në SHBA si dhe Universiteti Guangzhou në Kinë, ekzaminuan të dhënat e imazheve nëntokësore në Mars të mjetit tokësor kinez “lander”, Curong.
Studiuesit gjetën ngjashmëri kur krahasuan të dhënat e mjetit Curong me të dhënat e marra nga nëntoka e brigjeve të Tokës.
Shkencëtarët theksuan se struktura nëntokësore në Mars është në një kënd të ngjashëm me tokat në planetin Tokë, që priren drejt fushave ose oqeaneve dhe se të dhënat tregojnë se ka pasur plazhe dhe oqeane në Mars më parë.
Ata vunë në dukje se pozicioni i këtyre plazheve mund të ketë ndryshuar me kalimin e kohës dhe se disa struktura u panë të pjerrëta në veri dhe se plazhet mund të kenë avancuar drejt oqeanit me kalimin e kohës.
Studiuesit tërhoqën vëmendjen se plazhi “shtrihet të paktën 1.3 kilometra në veri në drejtim të oqeanit” dhe se këto struktura tregojnë se duhet të ketë një lumë në zonë, duke shkaktuar baticat, valët dhe llumrat.
Sipas gazetës “The Guardian”, një nga autorët e studimit, dr. Benjamin Cardenas, në deklaratën e tij, tha se strukturat e ekzaminuara nuk u ngjanin vullkaneve apo dunave të rërës dhe se gjurmët e jetës duhet të hetohen sepse këto struktura tregojnë një plazh dhe një oqean.
Gjetjet e studimit janë publikuar në revistën “The Proceedings of the National Academy of Sciences”.