Taravari për REL: Sela s’mund të bëhet pjesë e Qeverisë – më afër është me BDI-në!

Deri në zgjedhjet lokale me siguri se VLEN nuk do të bëhet një parti, kurse pas zgjedhjeve mund të ndodh bashkimi eventual i katër partive – thotë për Radion Evropa e Lirë, Ministri i Shëndetësisë, Arben Taravari. Ai paralajmëron ankesë në Gjykatën e Apelit, pas vendimit të Gjykatës së Tetovës që vulat partiake t`i kthehen Ziadin Selës. Sipas Taravarit, me rëndësi është se kush I ka anëtarët e jo se si do të quhet.

Arben Taravari është pjesë e kësaj qeverie si lider I ASH-së. Por, pasi Gjykata e Tetovës miratoi vendimin që vulat t`i kthehen Ziadin Selës si lider I ASH-së, Radio Evropa e Lirë, pyeti se lider I cilës parti është aktualisht, Arben Taravari.

“Jo, ne vazhdojmë, tani shkon në Apel, vazhdon, partia funksionon komplet dhe 80% të anëtarësisë dhe më shumë se 80% janë në ASH. Megjithatë, shpesh them se është irelevante se kush si do të quhet. Unë jam momentalisht, nesër do të jetë dikush tjetër, dje ishte Ziadin Sela. Me rëndësi është se kush I ka anëtarët e jo kush si do të quhet” – tha Taravari.

Taravari, nuk beson se pas vendimit të Gjykatës, krahu I Selës mund të bëhet pjesë e Qeverisë. Sipas tij, gjasat më të mëdha janë që ASH-ja e Ziadin Selës të jetë pjesë e BDI-së.

Por, pas paralajmërimeve se partitë e koalicionit VLEN do të bashkohen në një parti, ndoshta kjo mund të jetë zgjidhja për situatën aktuale në ASH – pyet Radio Evropa e Lirë.

“Deri në zgjedhjet lokale me siguri se nuk do të bëhet bashkimi i VLEN-it, pas zgjedhjeve tashmë kemi menduar dhe biseduar për këtë, ndoshta edhe mund të ndodh bashkimi eventual I katër partive në një parti, megjithatë kjo s`ka lidhje me zotin Sela” – tha Taravari.

Taravari kishte kërkuar edhe një vit për ndryshimet kushtetuese. Paraprakisht kishte pohuar se brenda 6 muajve do të miratohen. Tani, kërkon afat të ri. Por, a ka garanca se ndryshimet kushtetuese mund të ndodhin brenda këtij afati?

“Normalisht se ne si VLEN do të insistojmë, por duhet të bindet edhe VMRO-ja. S`ka formulë që mund t`i bëjë ndryshimet kushtetuese pa VMRO-në. Me sa shoh, Kryeministri është i gatshëm, por kërkon garanca. Nëse kjo do të jetë nga Sofja, Brukseli apo Uashingtoni, është irelevante, por ky është kushtëzimi i fundit për Maqedoninë” – tha Taravari.

Lidhur me zgjedhjet lokale, Taravari thotë se në fund të marsit, pas anketave brendapartiake do të dilet me propozime për kandidatët e tyre në komuna të caktuara.

Por, nuk e ka përjashtuar mundësinë, sic thotë, në komuna urbane të dilet me kandidatë të përbashkët, kurse në ato rurale veç e veç. /tvklan.mk: