Kryetari i Aleancës për Shqiptarët (ASH), Arben Taravari, ka mohuar çdo pretendim se ai apo partia kanë dhënë para për vizitat e tyre në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ai ka theksuar se udhëtimet dhe akomodimi janë organizuar përmes miqve dhe përfaqësuesve të ASH-së në SHBA, veçanërisht Adem Neziri, i cili jeton në Teksas. Taravari ka sqaruar se gjatë vizitës së parë në SHBA ka qëndruar vetëm një ditë e gjysmë, duke marrë pjesë në inaugurim dhe më pas është kthyer në vendlindje.
“Apsolutisht jo, asnjë denarë, me plotë përgjegjësi morale e them asnjë denarë. Por fatmirësisht atje kemi plot shok e miq. Ne kemi përfaqësuesin e ASH-së në Amerikë, Adem Nezirin dhe ai jeton në Teksas. Ka shumë shoqni, ka rreth, por kemi edhe shokë të tjerë. Kështu që nuk kemi dhënë asnjë denarë, flas personalisht, nuk flas për tjerët sepse nuk e di. Herën e parë kur shkuam unë qëndrova një ditë e gjysmë. Të dielën në mbrëmje arrita, të hënën ishte inaugurimi dhe gjysma e qytetit ishte i bllokuar. Ishim në hotele të ndryshme dhe të martën në mëngjes ora 2 e kisha avionin dhe u nisëm. Ishte e pamundur të takohem me Zeqirijain dhe Izetin sepse edhe ato ishin atje, edhe Afrimi. Ato kanë qenë me një hotel, unë kam qenë në një hotel tjetër. Ishte mëngjesi i inaugurimit, unë arrita me miq dhe shokë që të jem prezent aty. Të nesërmen u zgjova, e takova profesorin Eduard Josef të cilin e kam mik shumë të mirë, çdoherë kur shkoj këshillat prej tij që i marr janë të jashtëzakonshme. E takova dhe në ora 12 u nisa për në aeroport”, ka theksuar Taravari.
Në lidhje me vizitën e dytë, Taravari ka sqaruar se ka qëndruar më gjatë dhe ka qenë i vendosur në të njëjtin hotel me Bilall Kasamin, ndërsa Izeti ishte afër. Ai ka shpjeguar se shumica e takimeve dhe ngjarjeve janë zhvilluar pikërisht në këtë hotel, duke përfshirë edhe forumin për krizën ballkanike, ku ata realizuan një fotografi së bashku. Megjithatë, ai ka theksuar se në mëngjesin e lutjeve, për shkak të numrit të madh të pjesëmarrësve dhe rregullave të organizimit, nuk ishte e mundur të takoheshin të gjithë..
“Herën e dytë qëndruam pak më gjatë. Fatmirësisht unë dhe Bilalli ishim me një hotel, Izeti ishte shumë afër. Komplet ngjarja e mëngjesit që ndodhte, ishte në atë hotel ku ishim të vendosur unë dhe Bilalli. Izeti erdh shpesh aty, në një ngjarje që ishte për krizën regjionale ballkanike. Aty ishim bashkë. Dhe në atë ngjarje e bëmë një fotografi bashkë. Por jemi takuar edhe 2-3 herë sepse të gjitha zhvillimet u bënë në hotelin ku ishim të vendosur. Edhe në lutjet e mëngjesit, fatkeqësisht çdokush ishim ulur në vende të ndryshme. Sepse ti e merr biletën dhe gjithë ftesën edhe është i caktuar prej zonave të ndryshme. Një tavolinë 10 veta dhe çdonjëri prej atyre është prej shteteve të ndryshme, dhe qëllimi është ky. Ndërsa në mëngjese janë, imagjinoni 4600 veta që marrin pjesë, kështu që është e pamundshme të shihemi, bile me Izetin jemi përshëndet sepse ishim në distancë prej 100 metra. Me plotë përgjegjësi e them se raportet mes VLEN-it janë korrekte. Vazhdimisht ka akuza se deri tani jemi përçarë 100 herë. Por kësi akuza do të ketë edhe 100 tjera deri në zgjedhjet lokale”, ka deklaruar kryetari i ASH-së, Arben Taravari.