Taravari: E kemi për obligim t’i bëjmë reformat në sistemin e drejtësisë

Arben Taravari kryetari i Aleancës për Shqiptarët dhe një nga liderët e VLEN-it, ka folur rreth sistemin të drejtësisë në vendin tonë dhe besueshmërisë së ulët të qytetarëve në drejtësi. Ai tha se neve na duhen edhe reformave vendore të cilën kjo qeveri e ka për obligim dhe për detyrë që t’i bëjë.

“Të gjithë ndihmat që kanë ardhur nga USAID-i kanë qenë të mirëseardhura. Por çdo shtet duhet të mbështetet në forcat e veta dhe në kapacitetet të cilat i kemi si shtet dhe besoj se kjo Qeveri ka kapacitete të tilla dhe së shpejti do të filloj me ndryshimet serioze dhe radikale në sistemin prokurorial dhe në sistemin gjyqësor”, u shpreh Taravari.

Ai duke ju përgjigj akuzave të opozitës për ndërhyrje në sistemin e drejtësisë, tha se nuk qëndron as një fakt se Qeveria e re ka ndërhyrë në sistemin e drejtësisë.

“Deri më tani ka vetëm investigime rreth disa ish-funksionarëve. Kemi një rast ku ish-zëvendëskryeministri Artan Grubi, u fut në listën e zezë nga SHBA-të, sepse ka ndërhy në Gjykatë dhe Prokurori. Praktikisht ai me intervenimin e tij ka ndikuar që të lirohet Sasho Mijallkov, ish-shefi i Shërbimeve në Maqedoni dhe një njeri që njihet shumë negativisht te shqiptarë në periudhën e Gruevskit gjatë viteve 2008-2016. Sot ky njeri është i lirë dhe shëtit lirshëm, falë ndihmës që i ka dhënë Artan Grubi. Pasi Grubi u fut në listën e zezë, Gjykata te ne ngriti një lëndë tjetër për personin në fjalë”, tha Taravari.

Ai në fund shtoi se BDI është një parti që ka qenë 22 vjet në Qeveri dhe ka katër eksponentë të lartë politik në listën e zezë të SHBA-ve dhe kështu parti në Ballkan nuk ekziston që ka aq numër të madh të eksponentëve në listën e zezë të SHBA-ve.