Sulmoi me thika oficerët në Paris pa thënë asnjë fjalë, vritet nga policia

Një burrë që mbante thika të cilat “i hodhi” mbi një ekip oficerësh policie “pa thënë asnjë fjalë” u vra nga policia mëngjesin e kësaj të mërkure në Dugny (Seine-Saint-Denis). Mediat franceze bëjnë të ditur se një nga oficerët e policisë përdori fillimisht një “armë elektrike”, por pa efekt.

Një tjetër oficer më pas “përdori armën” duke plagosur burrin në gjoks, i cili ka ndërruar jetë pavarësisht ndërhyrjes së shërbimeve të urgjencës.

Ngjarja ka ndodhur rreth orës 07:00 të mëngjesit të sotëm. “Policët lokalë ndërhynë për një burrë të ulur në një stacion autobusi, me nga një thikë në secilën dorë. Kur mbërriti ekuipazhi, burri u hodh mbi ta, pa thënë asnjë fjalë”, shpjegoi policia franceze, e cila shtoi se edhe pse burrit me thika iu bë masazh kardiak deri në mbërritjen e zjarrfikësve, ai ndërroi jetë.