Specialja dënon me burgim Shalën, Januzin dhe Bahtijarin

Gjykata Speciale me seli në Hagë, apo më saktësisht Dhomat e Specializuara të Kosovës, sot gjatë ditës kanë marrë vendim duke shpallur fajtorë dhe kanë dënuar me burg Haxhi Shalën, Sabit Januzin dhe Ismet Bahtijarin.

Në njoftimin e DHSK-së, thuhet se Trupi Gjykues ka miratuar marrëveshjen për pranimin e fajësisë të arritur midis Zyrës së Prokurorit të Specializuar (ZPS) dhe tre të akuzuarve në këtë çështje, ku ata pranuan fajësinë për një akuzë për pengim të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare, dhe një akuzë për frikësim gjatë procedurës penale.

‘‘Sot, 4 shkurt 2024, Trupi Gjykues në çështjen gjyqësore Sabit Januzi, Ismet Bahtijari dhe Haxhi Shala miratoi marrëveshjet për pranimin e fajësisë të arritur midis Zyrës së Prokurorit të Specializuar (ZPS) dhe tre të akuzuarve në këtë çështje, ku ata pranuan fajësinë për një akuzë për pengim të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare, dhe një akuzë për frikësim gjatë procedurës penale, konkretisht dy nga tre akuzat e konfirmuara kundër tyre nga Gjykatësi i Procedurës Penale. Akuzën e tretë, pengim i personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare përmes kërcënimit të rëndë, ZPS-ja e tërhoqi më 17 dhjetor 2024, në kuadër të marrëveshjeve për pranimin e fajësisë’’, thuhet në njoftim.