Spanja shkatërron bandën e trafikimit seksual që shfrytëzonte mbi 1,000 gra

Policia spanjolle ka shkatërruar një rrjet të trafikut njerëzor që joshi më shumë se 1,000 gra në vend gjatë vitit të kaluar, me oferta false për punë përpara se t’i detyronin ato në punë seksuale, ka bërë të ditur policia të dielën.

Grave, të cilat ishin kryesisht nga Venezuela dhe Kolumbia, u ishte thënë se do të punonin në sektorët e bukurisë ose pastrimit, është bërë e ditur në një deklaratë nga Policia Kombëtare e Spanjës, raporton Reuters.

“Me të mbërritur në Spanjë ato u transferuan në klube ku u shfrytëzuan seksualisht dhe u detyruan të punonin gjatë gjithë orëve”, ka bërë të ditur policia.

Gratë lejoheshin të dilnin vetëm dy orë në ditë dhe mbaheshin nën vëzhgim me video.

Tre drejtues të dyshuar të rrjetit, dy gra kolumbiane dhe një spanjolle, ishin mes 48 të dyshuarve të arrestuar në bastisjet në Alicante dhe Murcia, në Spanjën juglindore, dhe tre klube striptizmi u mbyllën si pjesë e operacionit.

Policia ka sekuestruar gjithashtu më shumë se 150,000 euro para, ka bllokuar llogaritë bankare që përmbanin 938,000 euro dhe ka sekuestruar 17 prona.

Gjashtë nga të dyshuarit po mbahen në paraburgim. Të tjerët janë liruar me kusht për t’u përballur me gjyqin në një datë të mëvonshme.