Siljanovska i reagon BDI-së: Urimi për Pavarësinë e Kosovës është dërguar nëpërmjet MPJ-së

Zyra e Presidentes Gordana Siljanovska-Davkova ka reaguar ndaj njoftimit të BDI-së, se presidentja e vendit nuk ka dërguar urim me rastin e festës së Pavarësisë së Republikës së Kosovës.

Nga Kabineti i Siljanovskës thonë se në përputhje me praktikën diplomatike, presidentja përmes Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme, i ka dërguar letër urimi homologes së saj, Presidentes së Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani-Sadriu, më 17 shkurt 2025.

“Për kabinetin qeveritar është e papranueshme që BDI-ja përmes shpërndarjes së informatave të rreme dhe të paverifikuara dhe nxjerrjes së konkluzioneve të pabaza po tenton të dëmtojë reputacionin dhe besueshmërinë e presidentes Siljanovska-Davkova”.

“Konfirmim se kjo nuk është shkelje diplomatike, e aq më pak cenim i fqinjësisë së mirë, është pranimi i ftesës së Presidentes Siljanovska-Davkova për të marrë pjesë në pritjen ceremoniale të festës së Pavarësisë së Republikës së Kosovës, që po organizohet sonte nga Ambasada e Kosovës”.

“Në interes të informimit objektiv të publikut dhe për të parandaluar manipulimin e qytetarëve, po jua bashkangjisim tekstin e plotë të urimit të dërguar me rastin e festës së Pavarësisë së Republikës së Kosovës”, thuhet në reagimin nga zyra e Siljanovskës.