Shqipëria dhe Serbia do të organizojnë kampionatin Euro U21

Shqipëria dhe Serbia do të jenë bashkëorganizatore të Kampionatit Evropian të futbollit për nën 21-vjeçarët në vitin 2027.

Më 4 shkurt, UEFA konfirmoi se ky kampionat do të organizohet nga dy shtetet e Ballkanit Perëndimor.

Kur Federata Shqiptare e Futbollit (FSHF) njoftoi në muajin maj të vitit të kaluar se u bë bashkë me atë të Serbisë për ta planifikuar organizimin e turneut me 16 kombëtare, i cili zhvillohet çdo dy vjet, ajo u përball me shumë kritika, sidomos në Kosovë.

Ndërkaq, grupi zyrtar i mbështetësve të Shqipërisë, i njohur si “Tifozat Kuq e Zi”, kishte kërcënuar se do ta ndërpresë mbështetjen për kombëtaren, për shkak të këtij organizimi.

Si Shqipëria, ashtu edhe Serbia, janë përballur me sanksione nga organi qeverisës i futbollit evropian për shkak të incidenteve mes tifozëve.

Më 2014 në Beograd ndodhi një incident gjatë ndeshjes mes dy ekipeve, kur një dron me flamurin e “Shqipërisë së Madhe” hyri në stadium, gjë që nxiti një përleshje mes lojtarëve të Shqipërisë dhe Serbisë dhe ndaj tifozëve.

Pavarësisht këtyre incidenteve, federatat e Shqipërisë dhe Serbisë u bënë bashkë vitin e kaluar dhe planifikuan organizimin e Kampionatit Evropian të futbollit.

Për këtë kampionat kërkohen tetë stadiume, ku do të luhen 31 ndeshje.

UEFA tha se ndeshja hapëse e kampionatit do të mbahet në Serbi, ndërkaq ndeshja finale në Shqipëri./REL