Shkëlzen Gashi: Albin Kurti e ka veç edhe një shansë

Publicisti dhe analisti Shkëlzen Gashi ka analizuar rezultatin e zgjedhjeve të 9 shkurtit 2025, duke theksuar se Lëvizja Vetëvendosje (LVV) pësoi rënie për shkak të keqqeverisjes dhe disa faktorëve të tjerë, por gjithsesi ka ende një mundësi për të reflektuar dhe ndryshuar kursin.

Sipas tij, LVV-ja humbi vota për shkak të pakënaqësisë së shtresës së mesme dhe komunitetit mysliman, si dhe për shkak të një opozite që u mobilizua nga diplomatët ndërkombëtarë dhe oligarkët vendas. Ai thekson se qeverisja e Kurtit ka pasur dështime serioze në disa fusha, përfshirë premtimet e paplotësuara për hulumtimin e krimeve të luftës dhe ngritjen e padisë për gjenocid ndaj Serbisë.

Megjithatë, Gashi beson se Albin Kurti ka ende një shans, por vetëm nëse ndryshon qasjen dhe e kupton se qeveria nuk është e përkushtuar vetëm për dialogun me Serbinë, por edhe për çështjet e brendshme që ndikojnë drejtpërdrejt në jetën e qytetarëve.

Më poshtë gjeni postimin e plotë të Shkëlzen Gashit:

Albin Kurti e ka veç edhe një shansë

Partitë politike kryesore që garuan në zgjedhjet e 9 shkurtit 2025 prezentuan disa dokumente që i quajtën programe, por që në të vërtetë asnjëri prej tyre nuk mund të kualifikohej si i tillë. Në rastin më të mirë mund të thuhet se ato dokumente përmbanin disa ide. Veç kur idetë të shtjellohen në projekte, e mandej këto të ndërlidhen mes vete, krijohet programi. Shkurt, ‘programet’ e partive politike ishin skandaloze, e për fat të keq, i këtillë ishte edhe ‘programi’ i LVV-së, subjektit që për katër vjet e drejtoi Qeverinë e Kosovës.

Sido me qenë, po ndalem te rezultati i këtyre zgjedhjeve. Personalisht kam qenë i bindur se LVV-ja do të pësonte rënie 6-8%, ngaqë të zhgënjyer me Qeverinë e Kosovës ishin sidomos dy grupe shoqërore: shtresa e mesme e mesme (kjo për shkak të mungesës së një programi me pika mbi i dhe ekipit kompetent që do ta zbatonte atë), si dhe komuniteti i muslimanëve praktikues (ky për shkak të Kodit Civil dhe Doracakut). Mirëpo, kam besuar se votat e këtyre dy grupeve LVV-ja do t’i kompensonte me rritje të votave nga diaspora, falë mundësisë për të votuar tashmë nëpër ambasada e konsullata të Kosovës, si dhe me rritje të votave prej të varfërve, që përfituan nga shtesat për fëmijët, gratë, pensionistët, subvencionet për bujqit, e me radhë.

Janë disa faktorë që ndikuan që LVV-ja të mos bjerë më shumë.

I pari është shtrirja e sovranitetit edhe në veri të Kosovës, e që domethënë shkatërrimi i bandave kriminale sërbe në këtë pjesë të vendit. Më në fund, pas më shumë se dy dekadave, qytetarët sërbë në veri paguajnë faturat për rrymë, ujë, bërllog, tatim prone, e kështu me radhë. Në vijim të kësaj, duhet përmendë shkatërrimin e strukturave paralele sërbe në gjithë territorin e Kosovës, mandej ndalimin e zgjedhjeve të Sërbisë në Kosovë, por edhe të mallrave e të valutës zyrtare të Sërbisë në Kosovë.

Faktori tjetër janë kundërshtarët e LVV-së: partitë politike opozitare pa programe e pa njerëz kompetentë, pastaj mediat e kontrolluara nga këto parti, e sidomos Klan Kosova me shpifjet e pandërprera, të ashtuquajturit ‘analistë’, oligarkët, me theks të veçantë klani Devolli, diplomatët ndërkombëtarë, ku duhet veçuar Richard Grenell, e kështu me radhë. Të gjithë këta dhanë kontribut të jashtëzakonshëm, duke mobilizuar elektoratin e LVV-së ashtu që rënia të mos ishte më e madhe. Prandaj, LVV-ja dhe Albin Kurti duhet t’u jenë mirënjohës partive politike opozitare, mediave, oligarkëve dhe diplomatëve ndërkombëtarë.

Nga ana e saj, LVV futi në listë të kandidatëve për deputetë persona si ish-Kryetari i Mitrovicës, Agim Bahtiri, dhe ish-Kryetari i Prizrenit, Mytaher Haskuka. Kjo tregon se LVV do ta fuste në listë të kandidatëve për deputetë edhe dështakun tjetër, ish-Kryetarin e Prishtinës, Shpend Ahmetin, po të ishte ende anëtar i saj. Në zgjedhjet e fundit lokale i pata mbështetë kandidatët e partive politike opozitare për kryetarë të komunave në Prishtinë, Mitrovicë e Prizren, sepse në to LVV-ja kishte qeverisë jashtëzakonisht keq. Të kishin punuar si duhet Bedri Hamza në Mitrovicë e Përparim Rama në Prishtinë, atëherë kandidatët e PDK-së e të LDK-së për kryeministër, pra Bedri Hamza e Lumir Abdixhiku, do të mund ta dobësonin Albin Kurtin e LVV-së. Duhet shtuar këtu se Albin Kurti, me historinë e tij mahnitëse në shërbim të vendit, me përgatitjen e tij intelektuale mbresëlënëse, nuk mposhtet nga kundërkandidatë mediokër. Mbi të gjitha, Albin Kurti që banon me qira, vështirë mposhtet nga kundërkandidatë që bëjnë jetë ‘modeste’ nëpër lagjet më luksoze të Prishtinës.

Sido që të jetë, LVV mori rezultat të mirë, megjithëse qeverisja katërvjeçare e Kryeministrit Kurti lë shumë për të dëshiruar. Në parim, Albin Kurti nuk e meriton edhe një mandat. Personalisht e kam mbështetë fort, për shkak të Sërbisë fashiste dhe të atyre që e plaçkitën Kosovën për gati dy dekada. Shpeshherë, e sidomos javët e fundit, jam përmbajtë fort nga kritikat, pikërisht sepse kundër tij ishin bërë bashkë njerëzit më të ligë e më të padijshëm të këtij vendi.

Ajo që e ndëshkoi më së shumti LVV-në është keqqeverisja, e në disa fusha madje mosqeverisja. Po e konkretizoj me fushën që jam marrë shumë gjatë këtyre katër vjetëve –krimet e luftës. Në këtë fushë, LVV në programin e saj më 2021 vargonte tri projekte:

(i) Instituti për Hulumtimin e Krimeve të Luftës;

(ii) Muzeu për Krimet e Luftës; dhe

(iii) Padia për Gjenocid ndaj Sërbisë.

Qeveria e Kosovës vetëm në vitin e fundit të mandatit qeverisës e themeloi Institutin për Hulumtimin e Krimeve të Luftës, madje në mënyrën më të keqe të mundshme, por për këtë temë një herë tjetër. Kurse për projektin e dytë, Muzeun për Krimet e Luftës, Ministri i Kulturës e dërgoi për miratim në Qeverinë e Kosovës, vetëm dy javë para përfundimit të mandatit katërvjeçar, propozimin për vendimin mbi themelimin e tij, dhe këtë na e shiti si “themelim të Muzeut për Krime të Luftës”. Sa i takon projektit të tretë, Padisë për Gjenocid ndaj Sërbisë, po ashtu veç dy javë para përfundimit të mandatit katërvjeçar, Ministrja e Drejtësisë na gënjeu paturpësisht se kishin punuar në këtë padi, por për arsye konfidenciale, nuk mund të bënin asgjë publike.

Albin Kurti duhet ta kuptojë se Qeveria e Kosovës nuk ngarkohet vetëm për dialog me Sërbinë dhe raporte dinjitoze me bashkësinë ndërkombëtare. Janë edhe arsimi, shëndetësia, ekonomia, energjia, kultura, e me radhë. Ai duhet ta ketë të qartë se shumica e ministrave dhe shumica e pjesëtarëve të stafit në kabinetin e tij nuk meritojnë të jenë aty. Po të punonte si duhet, Albin Kurti nuk do të kishte nevojë të bërtiste gjatë fushatës sepse do të bërtisnin punët e tij.

Albin Kurti e ka veç edhe një shansë. Nëse qeveris sikur gjatë katër vjetëve që i lamë mbas – e kam dro se krejt indikacionet tregojnë se bash ashtu ka me qeverisë – atëherë LVV-ja jo vetëm do të përgjysmohet në zgjedhjet e ardhshme, por edhe do të jetë përgjegjëse për kthimin e plaçkitësve të Kosovës në pushtet e rrjedhimisht edhe të Sërbisë në veri të Kosovës.