Të paktën 8 persona kanë humbur jetën dhe 80 të tjerë janë plagosur si pasojë e shembjes së çatisë së një qendre tregtare në shtetin e Amerikës Jugore, Peru, raporton Anadolu.
Sipas njoftimit të bërë nga Ministria e Brendshme, është shembur çatia e një qendre tregtare në qytetin e 3-të më të madh të vendit, Trujillo.
“Në këtë incident humbën jetën tetë persona, mes tyre tre fëmijë dhe 80 të tjerë u plagosën. Të gjitha ekipet e kërkim-shpëtimit, veçanërisht ekipet zjarrfikëse, u mobilizuan për të shpëtuar të gjithë personat e bllokuar. Kemi nisur hetimet për zbardhjen e shkaqeve të kësaj ngjarje tragjike”, thuhet në njoftim.
Qendra e Operacioneve Emergjente (COER) bëri të ditur se një pjesë e çatisë ishte ende në vend, por rreziku i shembjes vazhdonte.
Ekziston frika se numri i të vdekurve mund të rritet pasi çatia ra në restorant, ku gjithashtu gjendet edhe një park argëtimi për fëmijë dhe kinema.
Ish-kryetari i bashkisë së qytetit, Arturo Fernandez, tha për media se ai pati dhënë urdhër për mbylljen e qendrës së dytë tregtare më të madhe të Perusë më 29 dhjetor 2023, për shkak të mangësive strukturore.
Mediat lokale njoftuan se qendra tregtare e mbyllur u rihap një javë më vonë, më 4 janar 2024. Autoritetet arritën në përfundimin se vendimi i mbylljes ishte i panevojshëm, duke raportuar se struktura plotësonte kushtet e nevojshme të sigurisë.
Përderisa ka filluar hetim mbi incidentin, presidentja Dina Boluarte theksoi se përgjegjësit për shembjen e qendrës tregtare duhet të ndëshkohen në mënyrën më të ashpër.
Nga ana tjetër kompania që operon qendrën tregtare, pretendoi se godina kishte kaluar kontrollet teknike përfundimtare.